Lajmet e fundit

Debat publik për Projektligjin për punë

E Mërkure, 25.06.2008




Hartimi i Projektligjit për punë edhe pse ka filluar para katër vitesh, ende nuk është finalizuar në tërësi. Me këtë Projektligj, para së gjithash, dëshirohet të jepet një bazë si për të drejtat e punëdhënësit gjithashtu edhe të punëtorëve. Më këto konstatime sot filloi debati publik për Projektligjin për punë, i organizuar nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe i kryesuar nga z. Sadik Idriz, kryetar i Komisionit. Përndryshe, krahas anëtarëve të Komisionit, në këtë debat publik, në cilësinë e propozuesit të Projektligjit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, pastaj përfaqësuesit e Ministrisë për Shëndetësi, ata të Shoqatave të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të Shoqatave të Bankave të Kosovës, të Sindikatës së KEK-ut, të Odës Ekonomike të Kosovës, ata të IMF-së dhe USAID-it, si dhe përfaqësuesit e OJQ-ve dhe asociacioneve tjera.

Ky Projektligj, që siguron bazën adekuate ligjore për realizimin e politikës efikase me të cilën do të rregullohet funksionimi në lëmin e punës, detyrave të punës dhe gjithë asaj që i përket këtij lëmi, mori përkrahjen në parim që do të thotë është miratuar në leximin e parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pjesëmarrësit e këtij debati përkrahën këtë Projektligj me vërejtje të shumta, që kanë për qëllim përmirësimin e tekstit të këtij Projektligji. Në këtë drejtim ata u përqendruan veçanërisht në çështjet financiare rreth zbatimit të këtij P-ligji në praktikë. Në lidhje me këtë, përfaqësuesit e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale theksuan se implikimet financiare mundësojnë realizimin e tij, kurse përfaqësuesi i IMF theksoi se për këtë P-ligj nevojiten shuma të mëdha parash ( rreth 15 milion € që duhet të sigurohen nga buxheti i Kosovës), buxhet që nuk mund ta mbulojë këtë. Përveç tjerash, në debat u theksua se duhet definuar konkretisht se për cilën kategori të punëdhënësve dhe punëtorëve bëhet fjalë, do të thotë a bëhet fjalë për shërbimin civil dhe publik apo për sektorin privat apo të gjitha së bashku. Njëkohësisht u theksua se kujdes i posaçëm duhet t'i kushtohet pushimit të lehonisë (6 apo 9 muaj pushim me pagesë për lehona), të drejtat si të punëdhënësit, ashtu edhe të punëtorit, si dhe roli dhe kompetencat e komisioneve disiplinore.
Debat publik për Projektligjin për punë