Lajmet e fundit

Kuvendi zgjodhi Presidentin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës

E Marte, 22.02.2011




Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, deputetët kanë zgjedhur sot Presidentin dhe Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.

Kuvendi, me përbërje të re, u mblodh sot pasi Kryesia miratoi kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (të nënshkruar nga 50 deputetë), për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, në të cilën do të zgjedheshin presidenti dhe kabineti i ri qeveritar.

Kryeparlamentari Krasniqi, bëri të ditur fillimisht se me vendim të presidentit në detyrë, është bërë zëvendësimi i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me deputetin Bali Muharremaj, nga i cili kërkoi nënshkrimin e deklaratës së betimit.

Duke proceduar me rendin e ditës, kreu i Kuvendit, Krasniqi, i njoftoi deputetët se në pajtim me Nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Nenin 27 të Rregullores së Kuvendit, kandidat për president të Republikës së Kosovës, është nominuar Behgjet Pacolli.

Arsyetimin për kandidatin e nominuar për president, e bëri deputeti Ibrahim Makolli, i cili tha se në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, Behgjet Pacolli është kandidat i propozuar për president nga koalicioni qeveritar, me nënshkrimet e 67 deputetëve.

Pasi mori autorizimin e Kuvendit për verifikimin e kushteve për kandidatin e nominuar, të parapara me Kushtetutën dhe Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, paraqiti para deputetëve raportin, duke konstatuar se kandidati për president i plotëson kushtet e parapara me Kushtetutën dhe Ligjin për Presidentin.

Përfaqësuesit e partive opozitare, LDK-së, Lëvizjes Vetëvendosje! dhe AAK-së, duke u deklaruar kundër kandidaturës së Behgjet Pacollit për president të Kosovës, bënë të ditur se nuk do të marrin pjesë në votim. Me këtë rast, deputetët e këtyre partive lëshuan sallën.

Pas krijimit të komisionit votues, deputetët filluan votimin. Pas dy raundesh votimi, në të cilat i nominuari për president nuk arriti të marrë 2/3 e votave të deputetëve, sipas Kushtetutës, ai u zgjodh në raundin e tretë të votimit, me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Presidenti i zgjedhur, Behgjet Pacolli, pasi bëri betimin si president i Republikës së Kosovës, garantoi para deputetëve se do të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh bindjet politike. Pacolli tha se institucioni që ai përfaqëson, do të garantojë unitet dhe stabilitet. “Do të promovoj idenë për një Kosovë të hapur e cila garanton lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, për një Kosovë të integruar plotësisht në shtëpinë e madhe evropiane, në NATO dhe në organizatat e tjera botërore”, theksoi presidenti Pacolli.

Tutje, Kuvendi procedoi me zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Para votimit, mandatari për kryeministër, Hashim Thaçi, paraqiti vizionin dhe pikat programore të qeverisjes së ardhshme katërvjeçare.

Pasi falënderoi qytetarët për besimin e dhënë për formimin e Qeverisë së Kosovës, Thaçi elaboroi në pika të shkurtra programin qeveritar 2011-2014, me ç’rast u zotua se kabineti i ri qeveritar do të punojë për interesat e të gjithë qytetarëve. Mandatari Thaçi potencoi një varg prioritetesh të qeverisë së re, si: zhvillimi ekonomik, vazhdimi i reformave të thella demokratike për një Kosovë evropiane, ngritja e mirëqenies sociale, forcimi i sundimit të ligjit, vazhdimi i luftës zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, rritja e numrit të njohjeve, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, vazhdimi i bashkëpunimit me institucionet financiare ndërkombëtare, liberalizimi i vizave etj.

Në vazhdim, Thaçi paraqiti përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, i cili (me votim të hapur), mori shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pas zgjedhjes, qeveria e re bëri betimin, të cilin e lexoi kryeministri Hashim Thaçi. Tutje, kryeministri tha se kabineti i ri do të vazhdojë të punojë me përgjegjësitë të shtuara për Kosovën evropiane, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Përbërja e qeverisë:

Kryeministër:
Hashim Thaçi

Zëvendëkryeministrat:
Hajredin Kuçi, Mimoza Kusari-Lila, Slobodan Petroviq, Edita Tahiri, Bujar Bukoshi

Ministrat:

Enver Hoxhaj, Ministër i Punëve të Jashtme,
Vlora Çitaku, Ministre i Integrimeve,
Agim Çeku, Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë,
Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme,
Bedri Hamza, Ministër i Financave,
Memli Krasniqi, Ministër për Kulturë, Rini dhe Sport,
Besim Beqaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik,
Ramë Buja, Ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë,
Dardan Gashi, Ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor,
Fehmi Mujota, Ministër për Infrastrukturë,
Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike,
Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë,
Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë,
Nenad Rashiq, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale,
Blerand Stavileci, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,
Slobodan Petroviq, ministër për Qeverisje Lokale,
Radojica Tomiq, Ministre për Kthim dhe Komunitete.
Kuvendi zgjodhi Presidentin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës