Lajmet e fundit

Vizita e kryekuvendarit Krasniqi në Turqi

E Enjte, 26.04.2012




Me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Madh të Turqisë, z. Cemil Çiçek, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni parlamentar po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Kryekuvendari Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetari i Kuvendit: Enis Kervan dhe nga deputetët Nait Hasani dhe Alma Lama, si dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara, Bekim Sejdiu, është pritur sot në takime të ndara nga kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, z. Cemil ÇIÇEK dhe presidenti i Republikës së Turqisë,z. Abdullah GÜL.

Kryeparlamentari i shprehu mirënjohje Turqisë për mbështetjen që po i jep Kosovës . Ai përmendi edhe marrëveshjet që Kosova dhe Turqia kanë arritur, duke theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duhet të thellohen dhe zgjerohen edhe më tej.

Kryetari Krasniqi i njoftoi mikpritësit për zhvillimet në Kosovë, si dhe për hapat e mëdhenj që ka bërë vendi pas shpalljes së pavarësisë, duke u shndërruar kështu në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Ai më tej i njoftoi mikpritësit për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për objektivat e tyre. Ndërkaq, duke folur për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës ai ka përmendur faktin që Kosova deri më tani është njohur nga 90 vende të ndryshme të botës, anëtare të OKB-së.

Duke folur për sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ai theksoi se pengesë serioze e bashkëpunimit të gjithanshëm të Kosovës me BE-në është mosnjohja nga pesë vende të këtij unioni. Kreu i Kuvendit i bëri një vështrim edhe punës së Kuvendit, çështjeve të zhvillimit ekonomik etj.

Duke folur për raportet me fqinjët dhe integrimet rajonale, z. Krasniqi ka pohuar se Kosova ka raporte të shkëlqyeshme me fqinjët, pos me Serbinë, e cila nuk e ka njohur Kosovën dhe vazhdon t'i bëjë pengesa zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar të vendit. Në këtë vështrim ai kërkoi nga autoritetet turke që në takimet me zyrtarët serbë të ushtrojnë ndikimin e tyre për ndërrimin e qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, z.Çiçek, duke ju uruar parlamentarëve të Kosovës mirëseardhje në Kuvendin e Madh të Turqisë, theksoi se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë janë shumë të mira , ndërsa këtë vizitë e cilësoi si mundësi shumë të mirë për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në përgjithësi e në veçanti thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve. Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha aspektet, si në vazhdimin e konsolodimit te institucioneve, ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të saj.

Në përfundim të takimit të dy kryeparlamentarët janë pajtuar për nevojën e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet parlamenteve të dy vendeve mike. Krasniqi me këtë rast i ka bërë ftesë homologes turk, z. Çiçek, për vizitë zyrtare në Kosovë.

Delegacioni parlamentar i Kosovës është pritur në një takim të veçantë edhe nga presidenti i Republikës së Turqisë,z. Abdullah GÜL. Kryeparlamentari Krasniqi e njoftoi presidentin GÜl me zhvillimet e fundit në Kosovë, me përparimet që ka bërë Kosova dhe me sfidat me të cilat ajo po përballet, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Turqisë si në procesin e njohjeve ndërkombëtare, ashtu edhe në proceset tjera.

Presidenti GÜL theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen në procesin e njohjeve, por edhe në fushat tjera.

Të gjitha këto takime u zhvilluan në mënyrë shumë të hapur, në frymë sinqeriteti dhe miqësie.

Pasdite delegacioni do të ketë takim me ministrin e Punëve të Jashtme,z. Ahmet DAVUTOGLU.

Nesër, delegacioni parlamentar i Kosovës, i kryesuar nga z. Krasniqi do të ketë një takim me kryeministrin e Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip ERDOGAN.

Dje, delegacioni nga Kuvendi i Kosoves ka vizituar qytetin Konja, ku janë pritur në takim shumë miqësor nga prefekti i kësaj komune, z. Aydin Nezih DOGAN.

Vizita e kryekuvendarit Krasniqi në TurqiVizita e kryekuvendarit Krasniqi në Turqi
 

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com

Komisioni për Buxhet dhe Financa

Tel: 038 211 186

Email: asd@sadfsdf.com