Kuvendi i Republikës së Kosovës

Filloi punën tryeza e parlamenteve të Evropës Juglindore

18.03.2015

Organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri Evropiane dhe Kuvendi i Kosovës dhe e mbështetur nga Pakti i Stabilitetit, sot ka filluar në Prishtinë tryeza e rrumbullakët e parlamenteve të Evropës Juglindore në temën Drejt zhvillimit të një mbikëqyrjeje efektive të qeverisë nga parlamenti

Evropa është shtëpia jonë e përbashkët

Në fjalën e hapjes, duke i përshëndetur pjesëmarrësit nga shumica e parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore, shefi i OSBE-së në Kosovë, Werner Wnendt, ka spikatur rëndësinë e takimeve të tilla për krijimin e klimës së mirëbesimit dhe të dialogut.

Evropa është shtëpia jonë e përbashkët, e cila ka trashëguar një histori konfliktesh dhe luftërash, por edhe përpjekjesh të vazhdueshme për mirëkuptim, tolerancë dhe bashkëpunim, ka thënë Werner, i cili çështjen e dialogut dhe të bashkëpunimit e sheh të realizueshëm pikërisht në takimet e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.

Demokracia e nënvleftësuar parlamentare

Ai ka konstatuar se demokracia parlamentare vazhdon gjithandej të jetë e nënvleftësuar dhe ka shtruar domosdonë të forcohet legjislativi në funksion, jo vetëm të miratimit të legjislacionit, por edhe të kontrollit më efikas të ekzekutivit të vendit. Kjo ka thënë shefi i OSBE-së në Kosovë Werner, vlen sidomos për Kosovën, e cila ka institucione të reja, me vullnet për të mësuar dhe bashkëpunuar.

Deputetët e rajonit të takohen dhe të njihen

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, duke i përshëndetur mysafirët nga parlamentet e rajonit, më shumë se vetë temën e tryezës ka vlerësuar rëndësinë e kontakteve të drejtpërdrejta të parlamentarëve, sidomos të vendeve në fqinjësi me Kosovën.

Të përfaqësuara edhe minoritetet me një përqin

Ai pastaj ka bërë një ekspoze për përbërjen e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar përfaqësimin e të gjitha grupeve etnike nëpërmjet shtatëmbëdhjetë subjekteve politike që participojnë në Parlament. Daci, madje ka theksuar se edhe pakica dhe grupe të vogla etnike, me gjithsej një për qind të popullsisë së Kosovës, janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, kurse në legjislaturën e kaluar, pakicat kombëtare përfaqësoheshin me 39 për qind në Kryesinë e Kuvendit, ka thënë Daci.

Një komision kryesor e udhëheqin serbët, katë nga dhjetë i udhëheq opozita

Ai pastaj ka përmendur faktin që katër, nga dhjetë komisionet parlamentare, udhëhiqen nga deputetë të opozitës. Ai ka shtuar se njëri nga dy komisionet kryesore të Kuvendit udhëhiqet nga deputetët serbë, kurse nënkryetari i komisionit tjetër kryesor, është po ashtu serb.

Çdo deputet flet në gjuhën e vetë

Daci pastaj ka folur edhe për barazinë e gjuhëve në Kuvendin e Kosovës dhe për të drejtën e çdo deputeti të flasë në gjuhën e vetë në seancat parlamentare dhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Fuqizimi i parlamenteve

Ish - kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe anëtar i Parlamentit të Rumanisë, Adrian Severin, para parlamentarëve të vendeve të Evropës Juglindore ka mbajtur një ekspoze në temën Fuqizimi i parlamenteve me zhvillimin e rrjetave regjionale.

Parlamentarët - alternativë e konflikteve

Parlamenti dhe parlamentarët janë alternativë e konflikteve, është shprehur Severin, duke folur për rolin e dialogut të përfaqësuesve të popullit edhe për çështjet për të cilat nuk pajtohen plotësisht. Ai këtë e ka shprehur me sintagmën: më mirë paqe e nxehtë se sa luftë e ftoftë.

Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të çlirohen nga Kosova

Duke u thelluar në problemet e Kosovës dhe rajonit në një kontekst më të gjerë, Severin është shprehur se derisa në Kosovë flitet vetëm për pavarësinë, në vendet e përparuara të Evropës flitet për ndërvarshmëri mes shtetesh. Ai pastaj është shprehur figurativisht se Serbia dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të çlirohen nga Kosova.

Ndër detyrat kryesore të Kuvendit të Kosovës në këtë periudhë, Severin numron: ndërtimin e një kuvendi të vërtetë parlamentar, me demokraci të brendshme të zhvilluar; krijimin e një shoqërie moderne kosovare ( madje ai shprehet edhe për një komb shumetnik dhe shumëkulturor, pluralist dhe racional), si dhe përgatitjen e shoqërisë së Kosovës për integrime përbrenda kombit, siç e quan ai, kozmopolitan të Evropës.

Pjesëmarrësit e tryezës pastaj kanë punuar në panele, kanë shtruar pyetje dhe kanë bërë komente për çështje të cilat lidhen me temën e tryezës.

Daci shtron darkë për pjesëmarrësit e tryezës

Mbrëmë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, për pjesëmarrësit e tryezës ka shtruar darkë në Vila Gërmia.

Nesër takim me PSSP-në, Petersen

Nesër parlamentarët e vendeve të Evropës Juglindore do të takohen me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Soren Jessen Petersen dhe do ta vizitojnë Lypjanin.