Kuvendi i Republikës së Kosovës

Daci takoi të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Kai Aide

18.03.2015

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, në takim me përfaqësuesin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ambasadorin norvegjez, Kai Aide, ka shprehur kënaqësinë që zoti Aide është caktuar për të përgatitur raportin për vlerësimin e standardeve për Kosovën.

Raport jo vetëm për standardet edhe vullnetin politik

Ai ka vlerësuar raportin e mëparshëm të zotëri Kai Aide si shumë kompetent e jo anues dhe ka shprehur bindjen e tij se kësaj radhe do ta përgatis një raport edhe më të fuqishëm, jo vetëm për përmbushjen e standardeve por edhe për vullnetin politik dhe të zhvillimet politike në Kosovë.

 

Daci i ka premtuar të deleguarit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së gjithë mbështetjen e tij dhe të Parlamentit, për kryerjen me sukses të punës me përgjegjësi që i është besuar.

Vazhdimi i kësaj gjendje rrezikon procesin politik në Kosovë

Kreu i legjislativit të vendit ka shprehur besimin në autonominë personale dhe autoritetin politik të ambasadorit Aide si ambasador i Norvegjisë në NATO dhe në të gjitha tjera që i ka kryer. Do të punojmë shumë ngushtë, madje edhe për çështjet për të cilat nuk do të pajtohen plotësisht, ka premtuar Daci, i cili ka tërhequr vërejtjen se zgjatja e kësaj gjendje në Kosovë edhe pas gjashtë vjetëve do ta rrezikonte procesin politik në Kosovë dhe do ta rëndonte edhe bashkësinë ndërkombëtare.

Të përfundojë misioni me pavarësi të pakushtëzuar për Kosovën

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova është storia më e fuqishëm e bashkësisë ndërkombëtare dhe e NATO-s, prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta përfundoj misionin e saj në Kosovë me pavarësi të pakushtëzuar dhe për vullnetin e popullit të Kosovës nuk ka pse të bisedohet me Beogradin.

Bashkësia ndërkombëtare ta disiplinojë regjimin e Beogradit

Daci ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta disiplinojë regjimin e Beogradit, në mënyrë që të mos i pengojë serbët e Kosovës të inkuadrohen në institucionet dhe të participojnë në proces. Ai ka thënë se decentralizim duhet të ketë dhe se duhet të fillojnë së realizuari pilot-projektet. Ne duhet të tregojmë kujdes për qytetarët tanë dhe tu japim atyre mundësitë për zhvillim të gjithanshëm, ka shtuar Daci.

Aide kërkon rezultate tëprekshme të decentralizimit

Nga ana e tij përfaqësuesi i posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ambasadori norvegjez, Kai Aide, duke folur për rëndësinë që kanë për ardhmërinë e Kosovës dhe të popullit të saj, përmbushja me sukses e standardeve dhe paqja e stabiliteti në rajon, është shprehur se kur të vije herën tjetër në Kosovë dëshiron të sheh rezultate më të prekshme, sidomos në planin e decentralizimit.

Standardet do t™i plotësojmë dhe së shpejti do të kemi një rrumbullaksim të procesit është shprehur optimist Daci.