Kuvendi i Republikës së Kosovës

Ambasadori slloven në takim me kryekuvendaren Vjosa Osmani: Sllovenia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

18.02.2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, ka pritur në një takim ambasadorin slloven Bojan Bertoncelj. Ai ka uruar zonjën Osmani për detyrën dhe për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

 

Në të njëjtën kohë, ka potencuar se politika e jashtme sllovene e ka në fokus Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Bertoncelj e ka konsideruar fazë të re në politikën kosovare, kryesimin e Kuvendit nga ana e zonjës Osmani. Ai ka rikonfirmuar mbështetjen e Sllovenisë ndaj Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se shteti slloven është për zhvillim dhe bashkëpunim rajonal.

 

Ndërkaq kryekuvendarja Osmani, ka përmendur investimet sllovene në Kosovë dhe ka shtruar nevojën e  rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, posaçërisht në fushën e diplomacisë parlamentare. Ajo e ka njoftuar ambasadorin slloven me krijimin e grupeve parlamentare​të miqësisë, njëri nga të cilët do të jetë ai me Slloveninë. 

 

Duke e potencuar mbështetjen sllovene në shumë procese, Osmani ka kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në procesin e integrimit evropian.