Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani u takua me përfaqësues të BE-së dhe të OSBE-së

26.02.2020

Osmani: Do ta forcojmë procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës

 

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani, priti në takim të përbashkët shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, dhe ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

 

Në takim u diskutua lidhur me forcimin e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, përmes implementimit të rekomandimeve të nxjerra nga misionet e BE-së dhe OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë. Në këtë takim, znj. Apostolova dhe z. Braathu kërkuan nga kryekuvendarja Osmani që të angazhohet në adresimin e këtyre rekomandimeve.

 

Ndërkaq zonja Osmani ka ofruar mbështetje në këtë plan, duke potencuar se cilësia e procesit zgjedhor luan rol në avancimin e demokracisë në vend.

 

Kryeparlamentarja u zotua se shumë shpejt do të ndërmarr hapat e nevojshëm në koordinim me grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, për të adresuar këtë çështje dhe për të garantuar rol proaktiv të Kuvendit në rregullimin e mëtutjeshëm të procesit zgjedhor në vend.​