Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

02.07.2020

Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, përfaqësuar nga Ambasada Britanike, kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi, për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit.

 

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovës, Nicholas Abbot.

 

Kryetarja Osmani tha pas nënshkrimit se ky memorandum është vullnet i dyanshëm në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, që ka për synim rritjen e transparencës në përzgjedhjen e personave në pozitat udhëheqëse në borde dhe agjenci të pavarura.

 

“Pozita e parapara janë në përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës ku trupat e tyre udhëheqëse dhe menaxheriale zgjidhen nga Kuvendi dhe disa që iniciohen nga Qeveria, por që lista finale votohet në Kuvendin e Kosovës”, tha Osmani. 

 

Sipas saj, profesionistët duhet të përzgjidhen në bazë të meritokracisë.

 

“Kuvendi vërtet përbëhet nga politikanë, mirëpo politikanët që betimin e tyre, ditën e zgjedhjes, e kanë dhënë duke thënë se do të punojnë në interes të Republikës dhe qytetarëve, duhet ta dinë se kjo Republikë dhe qytetarët që jetojnë në të, asnjëherë nuk do të arrijnë mirëqenien e duhur, në qoftë se shkelen parimet e meritokracisë dhe transparencës. Duhet që këtë premtim që e kemi dhënë ta realizojmë”, tha kryetarja Osmani.

 

Ndërkaq ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot tha se me këtë mënyrë ka pasur procese të suksesshme rekrutuese.

 

Ai u bëri thirrje profesionistëve të aplikojnë dhe të kontribuojnë në udhëheqjen e institucioneve.

 

“Nuk mund të zgjidhen nga jashtë por vetëm me vullnet politik dhe me punë profesionale. Jam i vetëdijshëm se kjo nuk është ndërmarrje e lehtë por parakusht për zhvillimin. Projekti ju ofron mbështetje por emërimet u takojnë institucioneve në pajtim të plotë me legjislacion në fuqi”, tha Abbott. ​