Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

27.02.2020

Komisioni për Integrime Evropiane, i kryesuar nga Armend Zemaj, kryetar i komisionit, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën diskutoi për Planin e Punës për këtë vit.

Duke paraqitur objektivat e komisionit, kryetari Zemaj, vuri në dukje nevojën e angazhimit unik të të  gjithë anëtarëve të Komisionit. Ai nënvizoi se, në objektivat e parapara, ndër të tjera janë edhe: mbikëqyrja e punës së ekzekutivit, shqyrtimi i procesit të harmonizimit dhe përafrimit të legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së, bashkëpunimi dhe koordinimi me institucionet vendore, si dhe përfaqësimi dhe pjesëmarrja në organizatat e ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.

Kryetari i komisionit, Zemaj, lidhur me Planin e Punës po ashtu tha se, ai mund të plotësohet, duke shtuar objektiva të tjera dhe angazhime konkrete nga fushëveprimtaria e komisionit.

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, pasi e përkrahën planin e punës, u zotuan se do të angazhohet për realizimin në tërësi  të objektivave të parapara.