Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis

24.02.2020

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, mbajti sot mbledhjen konstituive, të kryesuar nga Liburn Aliu, kryetar.

 

Kryetari Aliu shpalosi para anëtarëve detyrat dhe përgjegjësitë që i përkasin këtij komisioni.

 

Në këtë mbledhje u bë e ditur se komisionit i është shtuar fushëveprimtaria edhe nga dy ministri të tjera: Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor. Në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive, në komision u deklarua se do të shqyrtohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me fushën e bujqësisë, pylltarisë, zhvillimit rural, transportit rrugor, hekurudhor, ajror, detar, sigurisë në rrugë, mbrojtjes së ambientit, ujërave, planifikimit hapësinor, banimit dhe kadastrat etj.

 

Po ashtu, gjatë mbledhjes u paraqitën edhe disa propozime lidhur me inicimin e projektligjeve, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. Ndërkaq, në mbledhjen e radhës komisioni ra në ujdi që ta shqyrtojë me prioritet dhe planin e punës për sesionin pranveror.

 

Anëtarët e komisionit vlerësuan se duhet të ketë bashkëpunim sa më të mirë dhe efikas në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive që u takojnë, në mënyrë që të ketë mbarëvajtje të punës dhe mbikëqyrje të rregullt të punëve të qeverisë, në dikasteret që mbulon komisioni.