Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit

11.08.2020

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur mbledhjen e radhës, të cilën e ka drejtuar Shkëmb Manaj, kryetar.

Në këtë mbledhje ka raportuar ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, lidhur me programin legjislativ për vitin 2020, respektivisht të projektligjeve të kësaj ministrie, si dhe për gjendjen në institucionet korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të pandemisë me COVID-19.

Ministri Selimi ka bërë të ditur se agjenda legjislative përbëhet prej 20 projektligjeve, 20 akteve nënligjore dhe 3 vlerësimeve eks-post. Prej 20 projektligjeve, Selimi ka thënë se 4 prej tyre janë miratuar në qeveri, dhe janë sjellë në Kuvend. “Këto katër projektligje janë: Projektkodi civil i Republikës së Kosovës, Projektligji për pronën publike, Projektligji për tokën ndërtimore dhe Projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës”, ka thënë Selimi.

Për programin legjislativ, është zhvilluar debat në mes të ministrit Selimi dhe anëtarëve të këtij komisioni. Po ashtu, debat është zhvilluar edhe në lidhje me procesin e Vetingut.

Sa i përket gjendjes me COVID-19, ministri Selimi, ka treguar se vetëm një i burgosur nga1443 sa janë gjithësej në institucionet korrektuese ka rezultuar pozitiv. Kurse, sipas tij, 26 zyrtarë të shërbimit korrektues janë prekur me koronavirus, nga të cilët 19 janë shëruar, ndërsa 7 janë në trajtim.

Ministri Selimi është përgëzuar për punën që ka bërë për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 te të burgosurit në institucionet korrektuese.

Anëtarët e këtij komisioni, në këtë mbledhje e kanë formuar edhe Grupin punues për shqyrtimin e propozimeve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.