Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

05.06.2020

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Bedri Hamza, kryetar, u shqyrtua raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019.
Raportin e Komisionit, e paraqiti anëtari Eman Rrahmani, ndërkaq sqarime shtesë para anëtarëve të Komisionit dhanë edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe ata nga Zyra Kombëtare e Auditimit. 
Anëtari i Komisionit Eman Rrahmani, sqaroi fillimisht se raporti i Auditimit për vitin 2019, është me opinion të pamodifikuar dhe se pasqyrat vjetore financiare janë prezantuar në mënyrë të drejtë, duke përmendur në vijim  edhe disa nga të gjeturat. Rrahmani mes tjerash tha se ka keqësim të ekzekutimit të buxhetit dhe shtoi se ka disa të gjetura që janë paraqitur në fushën e të hyrave dhe shpenzimeve.
Gjatë këtij takimi, u shfaqën edhe disa shqetësime nga anëtarë të Komisionit lidhur me të gjeturat në këtë raport. Me theks të veçantë, debat i gjerë u  zhvillua rreth kthimit të depozitave të burgosurve.
Në çështjet që u ngritën, sqarimet e nevojshme i dhanë Qemajl Marmullakaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë dhe Nehat Thaçi, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Sekretari i MD-së, tha mes tjerash se tashmë është themeluar komisioni për adresimin e rekomandimeve të Auditorit dhe se MD-ja ka filluar me barazimin e të hyrave çdo muaj, si dhe janë ndërmarrë masat adekuate për adresim të kësaj çështjeje.
Pas shterimit të diskutimit lidhur me raportin, u vlerësua se është shënuar progres në raport me vitin paraprak dhe se numri i rekomandimeve krahasuar me vitin e kaluar është zvogëluar. Por, njëzëri u kërkua që të zbatohen të gjitha rekomandimet e dala nga Auditori dhe të mos ketë rekomandime të përsëritura nga viti në vit. 
Në vijim, u rekomandua që MD-ja në bashkëpunim me MF-në përmes një rregulloreje ose akti nënligjor të adresojnë bashkërisht çështjen e rekomandimit që ka të bëjë me depozitat e të burgosurve.