Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

25.06.2020

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka mbajtur mbledhjen e radhës, të cilën e ka kryesuar Albena Reshitaj, kryetare. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

Reçica duke folur për mirëqenien e qytetarëve në kohën e pandemisë Covid-19, ka treguar edhe për masat që ka marrë kjo ministri për t’i ndihmuar familjet me skema pensionale dhe skema të tjera sociale.

Ai ka treguar se mbi 24 mijë familje kanë përfituar deri më tani nga pakoja emergjente, në vlerë prej 7 milionë euro.

“Nga dje janë proceduar pagesat edhe për muajin qershor. Janë 160 mijë përfitues në kuadër të masës 2. Pasaj kemi masën 15, pagesën e asistencës mujore. Deri më tani kanë aplikuar mbi 67 mijë e 500 qytetarë. 7 mijë e 500 janë në proces të regjistrimit nga qendrat e punës sociale, ndërsa mbi 5 mijë e 550 kanë përfituar nga kjo masë. Objektivi ynë është që përmes kësaj mase t’i subvencionojmë ato biznese të cilat pranojnë punëtorë të regjistruar si punë-kërkues ”, ka thënë Reçica.

Po ashtu, ai ka thënë se prioritet i tij, janë shtesat për fëmijë deri në moshën 18 vjeçare, si dhe ndryshimi i ligjit, që veteranët e dalë nga lufta të kenë mundësi të punojnë në sektorin privat dhe të marrin pensionin.

Më tej, ministri Reçica u është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këtij komisioni, që kryesisht ishin të fokusuara rreth mirëqenies së qytetarëve në këtë kohë të rëndë të shkaktuar nga pandemia Covid-19.