Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

29.10.2020

Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti sot seancë të rregullt plenare, të cilën e drejtoi kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani.

Seanca filloi me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve, për anëtarët e kabinetit qeveritar.

Në  pyetjet e parashtruara nga ana e deputetëve, dhanë përgjigje kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami dhe ai i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Në vazhdim të seancës, deputeti nga radhët e GP të Vetëvendosjes, Agon Batusha, propozoi mocion procedural me anë të së cilit u kërkua që pika për zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave të hiqet nga rendi i ditës. Pas hedhjes në votim, propozimi nuk mori votat e nevojshme.

Seanca vazhdoi me zgjedhjen e drejtorëve të Bordit të NP KOSTT-it nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe kuotës gjinore.

Deputetët me anë të votimit të fshehtë zgjodhën dy anëtare gra të bordit të Ndërmarrjes KOSTT:  Ajrina Gashi-Hamdiu dhe Gjyldane Kiçmari.

Ndërkaq kandidatët për anëtarë të Bordit të KOSST-it nga radhët e komuniteteve jo shumicë, Sead Mujolli dhe Etem Bajmak, nuk morën votat e nevojshme. 

Po ashtu, me votim të fshehtë, u zgjodhën edhe dy anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave. Nga katër kandidatë sa ishin në garë, vota të mjaftueshme morën Ylber Fetahaj dhe Avdyl Hyseni.

Pas përfundimit të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të KOSTT dhe Bordit për Nakesa të Mediave, me propozim të kryetares Vjosa Osmani dhe dakordim të kryetarëve të grupeve parlamentare, seanca përfundoi punimet për sot, për të vazhduar të hënën në orën 10:00, me pikat e mbetura.