Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare

25.09.2020

Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetarja Vjosa Osmani, vazhdoi me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 7, 13, 14 gusht dhe 17 shtator.

Në mungesë të kuorumit gjatë procesit të votimit, Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, si dhe Projektligji nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, do të radhiten serish në rend dite në seancën plenare të radhës.   

Ndërsa, sa i përket propozim-rezolutës nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, deputeti Rexhep Selimi (VV), kërkoi që kjo çështje të mbetet për një seancë tjetër, meqë sipas tij kjo rezolutë është në proces të harmonizimit.

Deputetë të Kuvendit, ndërkohë me shumicë votash përkrahën propozim-rezolutën nga interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Tutje, po ashtu në mungesë kuorumi gjatë procesit të votimit, Kuvendi nuk arriti të miratojë as propozim-rezolutën nga interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. 

Votimi për këtë çështje mbeti të përsëritet, sikurse edhe për votimin në parim të Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”.
 
Ndërsa, përkrahjen me vota të deputetëve e mori propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa çështja e propozimit të GP të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur të Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës, është hequr nga rendi i ditës.

Krejtësisht në fund, me shumicë votash Kuvendi emëroi anëtarin (Ljubinko Karaxhiq) në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e  pandemisë së virusit “COVID-19, nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në vend të anëtarit Millosh Peroviq.