Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit

29.10.2020

Nën udhëheqjen e kryeparlamentares Vjosa Osmani, Kuvendi i Republikës ka vazhduar sot punimet me votimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara. 

Seanca filloi me hedhjen në votim të Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, për të cilin nuk pati kuorum për vendimmarrje. 

Po ashtu, i pasuksesshëm ishte edhe votimi për propozim-rezolutën nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, si dhe për atë nga interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës. 

Kuorum për vendimmarrje nuk pati as për gjashtë projektligje: Projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”, Projektligjin për ndryshim plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Projektligjin për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet
Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë. 

Kuorumi i mjaftueshëm mungoi edhe për Projekt Kodin Civil të Republikës së Kosovës nr. 07/L-019, sikurse edhe për tri propozim-rezoluta: propozim-rezolutën nga interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me pezullimin njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, propozim-rezolutën nga interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”, si dhe propozim-rezolutën nga interpelanca me Kryeministrin të Republikës së Kosovë, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e Kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. 

Në seancë e sotme, Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për Peticione, ndërsa ne kërkesë GP të PDK-së, në cilësi të iniciuesit, nuk u hodh në votim propozim-rezoluta nga interpelanca me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Besa Ismaili-Ahmeti, mbështetur edhe nga 8 deputetë të GP të PDK-së, në lidhje me përgjegjësitë në raport me zhvillimet në procesin e dialogut në Bruksel lidhur me punën e grupeve teknike.