Kuvendi i Republikës së Kosovës

Osmani: Duhet të zotohemi se do ta mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës sonë

17.02.2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani në fjalimin e saj kushtuar 17 Shkurtit, ditës së pavarësisë së vendit, ka thënë se apirata e Kosovës është integrimi në bashkësinë e popujve të qytetëruar evropianë.

 

“Në të njëjtën kohë ne do ta thellojmë përpjekjen për shtetndërtim e demokratizim. Prandaj, sot na duhet një patriotizëm konstitucional, duke u përpjekur maksimalisht që referencë e jona e çdoditshme të jetë Kushtetuta, ligjet dhe respekti ndaj tyre. Ndaj, është i domosdoshëm bashkëpunimi i të gjithëve për një shtet stabil, të zhvilluar ekonomikisht, të lidhur me botën dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në të”, ka thënë Osmani. Sipas saj, Kosova është mbi të gjitha! 

 

“Sot në 12-vjetorin e pavarësisë duhet zotohemi se çdo ditë do të përpiqemi që ta forcojmë shtetin, sundimin e ligjit, mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetë me dinjitet për të gjithë. Duhet të zotohemi sërish se do të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës sonë, të sigurojmë pacenueshmërinë e integritetit territorial e sovranitetit të vendit dhe që jo vetëm fjalët tona por edhe veprat tona të dëshmojnë se 17 shkurti 2008 është i pakthyeshëm dhe se Republika e Kosovës është e përhershme. Kosova nuk ka alternativë, atë duhet ta bëjmë gjithnjë e më e fortë, sepse është mëmëdheu ynë i vetëm”, ka përfunduar Osmani.