Kuvendi i Republikës së Kosovës

Osmani: Miqtë i duhen Kosovës ende, me Amerikën ruajmë miqësinë e përhershme

17.02.2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, në fjalimin e saj në nderim të 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit ka potencuar rolin e miqve të Kosovës në realizimin e projektit për shtetin.

 

“Ata jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës qënga dita e parë e çlirimit”, ka thënë Osmani.

 

Por, sipas saj, Kosova ka nevojë dhe me tej për mbështetjen e miqve.

 

“Ne sot i lusim ata të qëndrojnë krah nesh në synimet tona të përbashkëta për jetësim të vullnetit të qytetarëve tanë, për integrim të shpejtë në strukturat euroatlantike, për zhvillim të ekonomisë dhe për prosperim të përgjithshëm të vendit”, ka thënë Osmani.

 

Në këtë kontekst, ajo ka falënderuar vendet dhe popujt evropianë, me të cilët sipas saj, Kosova e ndan hapësirën gjeografike, por edhe vlerat.

 

“Në veçanti u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit të lirë amerikan, me të cilët ne ruajmë miqësi të hershme dhe të përhershme”, ka thënë Osmani. ​