Kuvendi i Republikës së Kosovës

Osmani: Presidenti Rugova, ikona e përbashkët e lirisë, Adem Jashari me familje simbol i sakrificës

17.02.2020

Kryekuvendarja dr.Vjosa Osmani në ekspozenë me rastin e 12-vjetorit të shtetit të Kosovës, ka thënë se liria u bë e arritshme në saje të angazhimit të shumë brezave.

 

“T’i kujtojmë me mallë e respekt gjithë brezat që punuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë e tij; ta kujtojmë para së gjithash ideatorin e projektuesin e pavarësisë së vendit, arkitektin e shtetit të Kosovës, atin themelues, dr. Ibrahim Rugovën, ikonën e përbashkët të lirisë, njeriun e dijeve, liderin shpirtëror të shqiptarëve, i cili politikës ia dha dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human; t’i kujtojmë po kështu heronjtë tanë, të cilët lirinë e vendit e patën ideal jetësor, komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, familjen Jashari, e cila u sakrifikua për lirinë e vendit”, ka thënë Osmani.

 

Ajo përmendi edhe të pagjeturit, martirët e shumtë, përfshirë gra, fëmijë e pleq, si dhe gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi, të cilët sakrifikuan për lirinë e vendit.

 

“Ta nderojmë gjeneratën e deputetëve të këtij kuvendi, të cilët më 1990 e shpallën Deklaratën e Pavarësisë, aktin themeltar të shtetit të Kosovës dhe, më pas, Kushtetutën e Republikës së Parë, atë të Kaçanikut; si dhe gratë dhe burrat e këtij kuvendi, të cilët në këtë ditë të vjetit 2008 e deklaruan botërisht vullnetin tonë për të jetuar të pavarur, duke e shpallur shtetin më të ri europian, dhe neve europianët e vjetër, na rikthyen në shtetarët e rinj”, ka thënë Osmani. ​