Kuvendi i Republikës së Kosovës

U mbajt mbledhja e Forumit për Transparencë Parlamentare

20.11.2020

Forumi për Transparencë Parlamentare ka vazhduar sot mbledhjen e filluar më 8 nëntor, me shqyrtimin e një varg çështjesh nga fushëveprimtaria e tij.

 

Kështu, Forumi diskutoi gjerësisht lidhur me vlerësimin e Planit të Veprimit për Kuvend të hapur dhe transparent 2016-2020, si parakusht për fillimin e hartimit të planit të ri, për periudhën 2021-2025.

 

Në fokus të kësaj mbledhjeje ishte edhe diskutimi për Programin e Kuvendit për Edukim Qytetar “Punëtoritë për demokraci – Demos-ti”, si program edukativ- qytetar, i dedikuar për fëmijë të shkollave fillore dhe të mesme, nëpërmjet të cilit ata fitojnë njohuri për demokracinë, parlamentarizmin, qytetarinë aktive, rolin e mediave në shoqërinë pluraliste etj.

Ishte vlerësim i anëtarëve të Forumit se programi paraqet një mundësi të mirë për nxënësit filloristë që, nëpërmjet punës interaktive të stafit për edukim qytetar të fitojnë njohur të reja përkitazi me këto tema.

Me qëllim të nxitjes së komunikimit më efektiv midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të zgjedhur, si dhe duke u përshtatur me rrethanat e reja të situatës si pasojë e pandemisë Covid-19, Forumi u dakordua që, duke filluar nga java e parë e dhjetorit, të rifillojë aktivitetin “Debate me qytetarë”, tani nëpërmjet platformës virtuale (online).

Duke iu kthyer diskutimit lidhur me nevojën e transmetimit të drejtëpërdrejtë të mbledhjeve të komisioneve parlamentare, Forumi e konsideroi të rëndësishme trajtimin e kësaj problematike në instancat gjegjëse, me qëllim të gjetjes një zgjidhje afatgjate lidhur me këtë çështje.