Kuvendi i Republikës së Kosovës

U mbajt takimi i deputetëve të Kuvendit me qytetarë të Kamenicës

02.11.2018

Mbi 100 qytetarë të Kamenicës ishin pjesë e debatit të hapur me deputetë të Kuvendit në këtë komunë, të organizuar nga Forumi për Transparencë i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në aktivitetin ‘'Ditët e Kuvendit 2018'', mbajtur në Shtëpinë e Kulturës ‘'Isa Kastrati'', pjesëmarrës ishin deputetët: Lirije Kajtazi, Zenun Pajaziti, Ismajl Kurteshi dhe Ahmet Isufi. Qëllimi i takimit ishte që qytetarët përmes pyetjeve dhe komenteve të shprehin kërkesat e tyre kundrejt përfaqësuesve që kanë zgjedhur. Problemet e tyre fillonin që nga ato lokale, deri te çështje më madhore, siç është liberalizimi i vizave. Në pyetjet që banorët e Kamenicës ua adresuan deputetëve, kryesisht shprehej shqetësimi lidhur me ngecjen ekonomike në këtë komunë. Takimi vijoi me diskutimin e problemeve si: rregullimi i ujërave të zeza, sigurimi i ujit të pijshëm, buxheti i ndarë për këtë komunë, mungesa e investimeve nga diaspora, kalaja e Dardanës, decentralizimi, zbrazja e lokaliteteve në vijën kufitare, problemet në infrastrukturë, ndërtimi i stadiumit, fillimi i projektit të autostradës. Diskutimet vazhduan deri tek shkëmbimi i territoreve dhe liberalizimi i vizave. Çështja e arsimit tërhoqi vëmendje në këtë debat, pasi ajo u adresua nga dy nxënëse nga kjo komunë, të cilat vunë në pah problemet që ato dhe bashkëmoshatarët e tyre hasin gjatë procesit mësimor. Sa i përket rolit përfaqësues të deputetëve, qytetarët e Kamenicës kërkuan nga ta që t'i vizitojnë më shpesh vendet prej nga vijnë. Deputetët, Kajtazi, Pajaziti, Kurteshi dhe Isufi, shprehën gatishmërinë dhe përkushtimin për të adresuar dhe çuar përpara kërkesat dhe nevojat e kamenicasve.