Kuvendi i Republikës së Kosovës

Dy komisione të Kuvendit takuan një delegacion të Bundestagut gjerman

18.03.2015

Sot, Komisioni për Integrime Evropiane dhe Komisioni për Punë të Jashtme, kanë pritur në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë për marrëdhënie me shtetet e Evropës jug-lindore të Bundestagut gjerman.

Zëvendëskryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Armend Zemaj, pasi i uroi mirëseardhje delegacionit gjerman, prezantoi punën e Komisionit për Integrime Evropiane në raport me sfidat dhe të arriturat e Kosovës në fushën e integrimeve evropiane. Ndër tjerash, ai theksoi se për të shënuar progres në këtë drejtim është më se i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet Bundestagut gjerman dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

"Ne si shtet synojmë familjen evropiane", theksoi Zemaj.

Në emër të Komisionit për Punë të Jashtme, fjalën e mori Elmi Reçica, i cili theksoi se Kosova duhet të jetë pjesë e sigurisë globale, duke parandaluar dukuritë negative dhe duke siguruar mbështetje të vazhdueshme nga shteti i Gjermanisë.

Po ashtu, Reçica foli edhe për procesin e përmbylljes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se vendi ynë është i interesuar për stabilizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

"Ne jemi të orientuar drejt perëndimit, jemi pro Brukselit dhe pro anëtarësimit në NATO", theksoi Reçica.

Fjalën gjithashtu e morën edhe anëtarët e tjerë të komisioneve, të cilët paraqitën qëndrimet e tyre sa i përket integrimeve evropiane dhe punëve të jashtme.

Në anën tjetër përfaqësuesi i Grupit të Miqësisë për marrëdhënie me shtetet e Evropës jug-lindore të Bundestagut Gjerman, Josip Juratovic, tha se misioni i tyre është që të promovojnë dhe të forcojnë ndërgjegjen parlamentare, duke u thirrur në arritjen e kompromisit midis shteteve.

"Kompromisi është zgjedhja e vetme për të arritur tutje", theksoi Juratovic.

Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Kosovës dhe Bundestagut gjerman.