Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, priti shefin e Zyrës së Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Mark Dickinson

18.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot shefin e Zyrës së Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Mark Dickinson dhe ka biseduar me të për çështjet që e preokupojnë udhëheqjen e institucioneve të vendit. Në bisedë vëmendje e posaçme i është kushtuar agjendës së Kuvendit për përmbushjen e standardeve për Kosovën, për çështjen e reformimit të pushtetit lokal dhe të decentralizimit dhe përgjithësisht për plotësimin e kushteve për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.
Me këtë udhëheqje që ka, Kosova do të plotësojë kriteret për statusin final të vendit, është shprehur optimist kryeparlamentari Daci. Ai është shprehur edhe në favor të decentralizimit dhe është angazhuar që t™ u jepet më shumë hapësirë minoriteteve. Do të ketë komuna ku ka nevojë, si Graçanica dhe minoriteti turk në rrethinat e Prizrenit, por edhe për komuna të reja në funksion të zhvillimit më të shpejtë ekonomik, si Hani i Elezit, bie fjala. Daci, ndërkaq, e ka vlerësuar të nevojshme involvimin edhe të opozitës në procesin e reformimit të pushtetit lokal.
Nga ana e tij shefi i Zyrës së Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Mark Dickinson, demokratizimin e raporteve në Kosovë, bashkëpunimin me mekanizmat ndërkombëtarë dhe sidomos plotësimin e standardeve, e ka vlerësuar tepër të rëndësishme për ardhmërinë e vendit. Të dy bashkëbiseduesit, ndërkaq, janë pajtuar për rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Duke e komentuar vizitën e presidentit serb Tadiq në Kosovë dhe deklaratat e tij në tubimet me qytetarët serbë, Daci është shprehur i prerë se Kosova nuk është dhe kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Këtë madje e dinë, jo vetëm politikanët serbë, por edhe shumica e serbëve lokalë në Kosovë, është shprehur Daci, i cili deklaratat e pamatura të z. Tadiq i ka parë në funksion të luftës politike në Beograd. Megjithatë, Daci është shprehur se është mirë që Tadiq ka vizituar Kosovën. Udhëheqja e Kosovës angazhohet për raporte reciprociteti dhe mëton të realizojë vizita dhe komunikim të lirë me institucionet dhe me qytetarët e Luginës së Preshevës, të Maqedonisë e tj. Daci madje është shprehur i gatshëm që të takohet në mënyrë institucionale edhe me udhëheqësit e Serbisë, për të krijuar raporte normale me të gjitha vendet e rajonit.
Tadiqi u ka sjellë serbëve të Kosovës një pëlhurë flamuri, është shprehur figurativisht Daci, porse më mirë do të ishte t™ u sillte ndihma materiale, siç ka vepruar Qeveria e Kosovës për popullsinë e Shqipërisë së Veriut, pas bllokimit të rajonit nga bora.