Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi hap dyert për diasporën

15.09.2019

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Germin, ka hapur sot dyert për diasporën shqiptare, pjesëmarrës nga 22 shtete të ndryshme të botës, për të dëgjuar kërkesat e tyre në drejtim të legjislativit kosovar por edhe qeverive të tre shteteve. Këto kërkesa janë prezentuar gjatë takimit të 100 përfaqësuesve të diasporës shqiptare dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që u mbajt sot në kuadër të ditës së dytë të konferencës katërditore Dipasora Flet. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, gjatë adresimit të tij para përfaqësuesve të diasporës, tha se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës. Ai tha se që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e luftës për çlirimin e Kosovës, të gjitha projektet e mëdha të kombit tonë kanë filluar në mesin e diasporës sonë. Ai tha se pa diasporën, Kosova sot nuk do të ishte këtu ku është. "Sot, ajo është shtyllë e ekonomisë dhe shtetit të Kosovës, prandaj shteti i Kosovës ka obligime të mëdha ndaj bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata jetojnë e punojnë nëpër botë", tha Veseli. Kreu i Kuvendit shtoi se ka ardhur koha që të lëvizet përtej të kuptuarit të diasporës thjesht si fuqi e remitencave për familjet tona dhe si kategori e mallit për vendlindjen. Sot, shtoi ai, njerëzit tanë në diasporë janë të integruar në trendet më të avancuara të zhvillimit dhe të dijes. Drejtori i Germin, Behar Xharra ka prezantuar pesë kërkesat kryesore që diaspora shqiptare ka karshi legjislativit të Kosovës. "Janë pesë kërkesa të cilat grupet punuese që janë ndërtuar prej 122 profesionistëve nga 24 shtete dhe që do të bisedohen me ju në komisione përkatëse, me shpresë që do të shkojmë në një pikë ku të kemi diçka konkrete", ka thënë Xharra. Ai tha se diaspora ka shumë kërkesa dhe se Germin i ka hulumtuar dhe prezantuar ato edhe në raporte që do të diskutohet më hollësisht në komisione parlamentare. E drejta e votës, pra përmirësimi i procesit për votim nga jashtë vendit, mësimi plotësues në gjuhën shqipe, përfaqësimi në politikëbërje, zgjidhja e problemit me kartonin e gjelbër dhe angazhimi i profesionistëve të diasporës në vendet e tyre të origjinës, ishin kërkesat që Xharra prezantoi para legjislativit të Kosovës. Xharra, i cili përfaqësoi edhe diasporën shqiptare në këtë rast, foli edhe për rëndësinë e krijimit të lidhjes mes gjeneratave të reja të diasporës me vendin e tyre të origjinës. "Nuk do të jetë problem thithja e trurit të njerëzve që janë lindur në Kosovë. Atë mund ta konsideroni si të kryer, por problem do të jetë se si fëmijët tanë që lindin jashtë vendit t'i lidhim me vendin e origjinës", tha ai. Mbështetje diasporës i kanë dhënë edhe tre ministrat e Diasporës: i Kosovës Dardan Gashi, i Shqipërisë Pandeli Majko dhe ai i Maqedonisë, Edmond Ademi. Gjatë takimit kanë mbajtur fjalë rasti edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të cilët u pajtuan që diaspora ka një rëndësi të veçantë për shtetin dhe se po e shohin mundësinë që është krijuar përmes Germin si një mundësi të mirë për të hapur dialogun e munguar te strukturuar për përfshirjen e diasporës edhe në vendimmarrje në vendin e tyre të origjinës. Në emër të GP të LDK-së foli kryetari i këtij grupi, Avdullah Hoti, ndërsa në emër të PDK-së deputeti Elmi Reçica. Nga Vetëvendosje fjalën e mori deputeti Sami Kurteshi, ndërsa në emër të PSD-së u deklarua Dardan Sejdiu. Ahmet Isufi nga AAK, Bilall Sherifi nga Nisma dhe Allbert Kinolli nga 6 +, ishin folësit e radhës në këtë takim. Më pas, shtatë përfaqësues të diasporës shqiptare kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuuar në vendet e tyre të origjinës, por me kërkesa konkrete, që të përmirësohet ambienti për ta bërë këtë nga qeveritë e vendeve të origjinës. Me këtë rast, me fjalimet e tyre janë paraqitur: Brikena Muharemi nga Shoqata e avokatëve shqiptaro-britanikë në Britani të Madhe, Richard Lukaj, drejtor i Bank Street Group dhe kryesues i bordit të Universitetit Amerikan në Kosovë, Lazim Destani, drejtor i Ekolog International, Mark Kosmo nga Shoqata shqiptaro-amerikane në Boston, Indira Kartallozi nga Kaleidescope Futures Lab në Belgjikë, Hilmi Gashi nga Unia në Zvicër dhe Lulzim Syla nga NRW në Gjermani. Pas takimit në sallën plenare, puna ka vazhduar në katër komisione parlamentare, në të cilat përfaqësuesit e bizneseve dhe shoqatave të ndryshme në diasporë, kanë prezantuar para deputetëve të Kuvendit mundësitë që diaspora ka për të dhënë në Kosovë. Sesione janë mbajtur në Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacione dhe Ndërmarrësi, si dhe në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal. Në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike u diskutua për politikat kryesore të dala nga nevojat e Diasporës përgjatë implementimit të nismës "Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës", ndërsa në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacione dhe Ndërmarrësi, u diskutua për mësimin plotësues jashtë vendit, qendrat kulturore dhe shkëmbimi profesional me diasporën. Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, diskutoi për temën: "Korniza ligjore, përfaqësimi i diasporës dhe e drejta për votë ". Politikat ekonomike, promovimi i projekteve lokale dhe regjionale për zhvillim, ndërkaq, ishte tema që u diskutua në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.