Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjala e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në seancën solemne për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë

17.02.2023

Të dashur të zgjedhur të popullit, 
Të nderuar Presidentë – znj.Osmani Sadriu, z.Begaj, 
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, 
Të dashur Zv.Kryeministra e Ministra të Qeverisë, 
Të nderuar udhëheqës të institucioneve tona të rëndësishme që keni ardhur në këtë seancë,
Të dashur ish-presidentë, ish-kryeministria, ish-kryeparlamentarë që i keni shërbyer Republikës sonë, 
Mysafirë që keni ardhur nga të gjitha hapësirat e popullit shqiptar, 
Të dashur mërgimtarë e të dashur ambasadorë, 
 
Sot është ditë feste – Dita e Pavarësisë. Shteti ynë i mbushi 15 vjet. 
 
Ky moment na bashkon të gjithëve, sepse është pika më e lartë e deritanishme e përpjekjes sonë për shtetësi. Prandaj, së pari iu përkulemi atyre që dhanë më së shumti – dëshmorëve tanë të pavdekshëm që nuk e kursyen as jetën e tyre për lirinë e popullit tonë. I kujtojmë e i nderojmë në këtë ditë të rëndësishme martirët tanë të ndritur që u flijuan ashtu që ne të tjerët të mund të jetojmë. Nuk i harrojmë të pagjeturit që na mungojnë, gratë e burrat që u dhunuan e u torturuan. Nuk i harrojmë e i falënderojmë së bashku të gjithë ata që mbajtën për lirinë tonë me mijëra vite burgje, ashtu që fëmijët tanë të rriten të lirë në tokën e atdheut tonë të çmuar. Por, mbi të gjitha, i përkulemi popullit tonë për qëndresën e tij shekullore e cila na frymëzon çdonjërin nga ne. 
 
Ne nuk harrojmë. 
 
Së pari mirënjohje po ashtu për të gjithë miqtë tanë që na ndihmuan për pavarësinë dhe për lirinë tonë. Sepse gjithçka që e arritëm, nuk do të ishte e mundshme pa ndihmën e tyre. 
 
Kurrë nuk do ta harrojmë gjenocidin të cilin e bëri Serbia mbi qytetarët tanë, mbi fëmijët, gratë e pleqtë. Mbi popullin tonë. 
 
Ne jemi një shtet i ri, por rrënjët i kemi të moçme. Këto rrënjë na mbajnë të lidhur e të bashkuar fort. Kështu ecëm përgjatë historisë, e cila për popullin tonë ishte e mbushur me përplot rreziqe, kthesa e udhëkryqe. Ne e dimë si rrallëkush çka është vuajtja por edhe sakrifica. Trungu ynë i lirisë u ujit me gjakun e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila zhvilloi luftë të drejtë dhe luftë mbrojtëse. Kjo ishte lufta e domosdoshme e popullit tonë e cila u kurorëzua me pavarësinë e Republikës së Kosovës.  
 
Do ta ruajmë Republikën tonë si më të vlefshmen që e kemi. Do ta zhvillojmë vendin tonë të përbashkuar rreth një qëllimi. 
 
Urime 17 Shkurti! 
Urime Dita e Shtetit tonë!
Rroftë Republika e Kosovës!