Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Konjufca: Ilaz Kodra ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

02.05.2022

(Fjalimi i kryetarit Glauk Konjufca në seancën solemne të Kuvendit, të mbajtur në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmoreve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë)

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu
I nderuar Kryeministër Kurti
E nderuara familje e heroit tonë Ilaz Kodra
Të nderuar deputetë, zëvendëskryeministra dhe ministra të kabinetit qeveritar
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
I nderuar Kryetar i Komunës së Skenderajt, z. Fadil Nura
I nderuar komandant i zonës operative të Drenicës, gjeneral Lushtaku
 
Jemi mbledhur sot në këtë seancë të veçantë për ta nderuar e vlerësuar edhe një herë figurën kombëtare të heroit të Kosovës, komandantit Ilaz Kodra, në 25-vjetorin e rënies së tij heroike për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Heroi Ilaz Kodra është ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila i përket bërthamës themeluese të kësaj ushtrie të lavdishme, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. I rritur e formësuar në frymën kombëtare e patriotike që në rininë e tij, Ilaz Kodra nuk kishte asnjë iluzion se Kosova mund të çlirohej nga Serbia pa luftë të armatosur. Prandaj, pikërisht për këtë arsye u bashkua me Adem Jasharin, Hamëz Jasharin, Zahir Pajazitin e të tjerë, në njësitin e parë ushtarak që ishte bërthama e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky grup patriotësh, që i përkasin kronikës më të lavdishme të historisë tonë, e panë të parët lirinë e Kosovës, prandaj sakrifikuan çdo gjë që këtë liri ta shoh e ta gëzojë i gjithë populli ynë. E sot ne u falemi me nderim që dhanë jetën dhe sakrifikuan për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
 
Kontributi i komandantit Ilaz Kodra për organizimin dhe strukturimin e luftës çlirimtare është i hershëm, sikurse pjesëmarrja e tij në luftë e nëpër shumë aksione të pandalshme, deri kur ra në altarin e lirisë, më 30 prill të vitit 1999, në mbrojtje të popullatës civile, e cila po sulmohej në të gjitha anët nëpër fshatrat e Drenicës. Si një nga shokët e pandarë të Adem Jasharit, pas rënies të Fehmi e Xhevë Ladrovcit më 22 shtator të vitit 1998, u caktua edhe komandant i brigadës 114, që tashmë mbante emrin “Fehmi Lladrovci”, i cili pastaj edhe në luftë do të njihej për organizimin e zonës dhe të të gjitha aksioneve kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Pothuajse nuk kishte betejë në Drenicë e rrethinë ku Ilaz Kodra nuk kishte marrë pjesë.
 
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kapitulli më i ndritur i historisë sonë të shekullit XX-të, ndërkaq Drenica me luftëtarët e saj i dha historisë heronjtë dhe dëshmorët, jeta dhe vepra e të cilëve është frymëzim për ne dhe brezat që do t’i lëmë pas. Ashtu siç rezistenca  e mëhershme e Tahir dhe Nebih Mehës kishte frymëzuar këta luftëtarë të Drenicës për ta nisur luftën çlirimtare e për ta themeluar UÇK-në, ashtu edhe lufta e familjes Jashari, Kodra e Lushtaku do të jenë frymëzim për ushtrinë tonë që do ta mbrojë Kosovën kurdo që të ketë nevojë.
 
Me këtë 30 prill, do t’i kujtojmë e do t’i nderojmë të masakruarit nga forcat serbe këtu e  25 vite më parë në Gllobar, Verboc, Shtuticë e nëpër shumë fshatra të tjera të Drenicës. Serbia nuk i kurseu civilët, ata gjithmonë ishin caku i saj, sepse Serbia e donte Kosovën pa shqiptarë, të spastruar etnikisht. Prandaj lufta e saj ishte gjenocidale, sepse ajo vrau fëmijë, gra e pleq. Gjaku i këtyre të pafajshmëve kurrë nuk do të falet dhe kurrë nuk do të harrohet nga ne, por do ta kujtojmë Serbinë si kriminale dhe gjenocidale, e cila ende nuk është penduar dhe nuk e ka ndryshuar orientimin dhe kursin e saj politik.
 
Duke qenë se kjo seancë po mbahet më 2 maj, duhet të themi se pikërisht në këtë ditë Serbia kreu edhe njërën prej masakrave më të madhe në Kosovë, masakrën e Studimes ku me gjakftohtësi i vrau dhe i masakroi 116 shqiptarë. Masakra e Studimes është ndër krimet më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, regjim nga i cili Serbia nuk po distancohet as sot e kësaj dite. Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi dhe nuk mund të ketë kurrë drejtësi pa dënimin e çdo krimineli të luftës. E prej shumë kriminelëve të luftës, të cilët morën pjesë edhe në Bosnje, edhe në Kosovë pastaj, nuk përjashtohet që shumë prej tyre janë duke kryer krime sot kundër popullit të Ukrainës.

Ne gjithmonë do t’i nderojmë e do t’i respektojmë dëshmorët tanë!
Lavdi Ilaz Kodës! 
Lavdi gjakut të të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!  
Ju falemnderit!