E nderuara Presidente e vendit Vjosa Osmani-Sadriu,
I nderuar Kryeministër Kurti,
Të dashur miq që na keni nderuar me praninë tuaj sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë ditë vërtet të rëndësishme për ne,
Baci Rifat,
President Begaj,
Presidente Calmy Rey,
President Mesiq,
I nderuari Lordi Robertson,
I nderuar Ambasadori z. Walker,
Të nderuar zonja e zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
12 qershori i vitit 1999 është dita e rikthimit të shpresës për popullin e Kosovës. Pas gati një shekulli nën sundimin serb, Kosova u çlirua. Të shumta janë padrejtësitë, diskriminimet, segregimet, keqtrajtimet, burgosjet e krimet që u ushtruan mbi popullin shqiptar nga regjimet okupuese të Serbisë. Të panumërta janë viktimat shqiptare të këtyre regjimeve që u mbështetën në programet sistematike historike e politike, të shtetit serb, që e kishin vetëm një synim, e ky ishte shfarosja e një populli të tërë nga territori dhe përmes krimeve të llahtarshme.
Këto krime të Serbisë e morën përmasën e gjenocidit. Për ne Serbia mbeti e njëjte, pavarësisht a u quajt dikur Mbretëri Jugosllave, a u quajt pastaj Jugosllavi federative a socialiste. Politika e shtypjes, e dëbimit, e shpronësimeve, e diskriminimit dhe e nënçmimit ka qenë tipari konstant i secilit prej këtyre regjimeve.
Kur e kremtojmë 12 qershorin, ditën e çlirimit të Kosovës, e kemi domosdoshmëri etike që të reflektojmë mbi historinë, se ajo për popullin tonë ka qenë vërtetë e vështirë. Prandaj, ta kujtojmë të shkuarën e të mos e harrojmë të vërtetën, nuk do të thotë të mos e duam paqen edhe pajtimin. Por ne, gjithmonë e shohim pajtimin vetëm si rezultat të drejtësisë. Ne kujtojmë dhe do të kujtojmë gjithmonë, sepse duam që padrejtësia dhe pushtimi të mos përsëriten kurrë më. 12 qershorin do ta festojmë përherë si ngadhënjim mbi të keqen, si ditë të fitores së drejtësisë mbi padrejtësinë, të lirisë mbi robërinë, të çlirimit mbi shtypjen dhe të humanizmit mbi fashizmin.
Më lejoni që në këtë seancë solemne po ashtu të shpreh nderim me përulësi ndaj të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të rënë për çlirimin e Kosovës, për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari do të mbetet kapitulli më i lavdishëm i historisë sonë të re. Populli ynë edhe pse i dërrmuar nga pushtimi i gjatë e i egër, arriti që nga gjiri i vet t’i jepte atdheut djemtë dhe vajzat e veta më të mira, gjaku i të cilëve është gurthemel i lirisë dhe i pavarësisë sonë.
Një populli që mbijetoi, rezistoi e luftoi, si dëshmi e të drejtës për të qenë i lirë në tokën e vet shekullore, nuk kishte edhe se si të mos e arrinte ndihmën nga aleanca më e fuqishme euro-perëndimore e demokratike, e cila atëbotë, para gjysmë shekulli e kishte çrrënjosur edhe fashizmin në kontinentin evropian, ndërsa atëbotë, përpara një dekade kishte triumfuar edhe mbi totalitarizmin sovjetik.
Intervenimi i NATO-s në Kosovë, duke e bombarduar ish-Jugosllavinë e Millosheviqit, përveç se intervenim humanitar për ta shpëtuar një popull të cilit po i kanosej zhdukja përmes gjenocidit, ishte përmbyllje e një shekulli të triumfit të lirisë nga forcat demokratike të botës, e fitores së demokracisë dhe vetëvendosjes së popujve mbi ideologjinë fashiste, totalitariste dhe hegjemoniste. Mirënjohja jonë do të jetë e përjetshme për miqtë tanë më të rëndësishëm që na ndihmuan, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Italinë, shtetet e rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe pjesëtarët e aleancës veri-atlantike. Ne do të jemi edhe si deputetë, edhe si popull përherë mirënjohës.
Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin dhe lirinë e Kosovës!
Nderim për veprën dhe sakrificën e të gjithë atyre që mundësuan që ne sot ta kremtojmë këtë ditë të lavdishme!
Ju falemnderit!