Kuvendi i Republikës së Kosovës

Deputetët Evgjeni Thaçi-Dragusha dhe Shkëmb Manaj diskutuan me nxënës në kuadër të Programit “Ballë për ballë me deputetët”

17.12.2020

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Evgjeni Thaçi-Dragusha dhe Shkëmb Manaj, ishin pjesëmarrësit e takimit të sotëm virtual me nxënës filloristë të shkollës "Mileniumi i Tretë” të Prishtinës, në kuadër të Programit “Ballë për ballë me deputetët”.

 

Në këtë takim, nën kujdesin e mësimdhënëses Lumnie Behrami Aliu, nxënësit kishin rastin që në mënyrë interaktive të diskutonin me deputetët nga radhët e pozitës dhe opozitës, duke shtruar pyetje dhe duke u njohur me shumë aspekte të punës së Kuvendit.

 

Duke shpalosur para nxënësve punën dhe përgjegjësitë që iu bien përsipër si përfaqësues të popullit, deputetët Evgjeni Thaçi-Dragusha dhe Shkëmb Manaj dhanë përgjigje në një sërë pyetjesh të adresuara nga vet nxënësit, të cilat ishin të orientuara kryesisht në fushën e arsimit, mënyrën e qeverisjes së vendit, si dhe formave të menaxhimit institucional të pandemisë globale Covid-19.

 

Ky takim nga pjesëmarrësit u konsiderua i nevojshëm dhe i rëndësishëm për edukimin e të rinjve, në promovimin e vlerave të demokracisë, si dhe informimin e mëtutjeshëm të publikut për punën që Kuvendi i Republikës së Kosovës bën në përditshmëri.

 

Takime të tilla pritet të organizohen edhe në të ardhmen, me një shtrirje në tërë vendin dhe pjesëmarrje të deputetëve nga pozita dhe opozita.

 

Programi “Ballë për ballë me deputetët” është përgatitur nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në bashkëpunim me Drejtorinë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të Forumit për Transparencë Parlamentare.

 

Ky program u ofron deputetëve mundësi të ndikojnë në edukimin e brezave të rinj mbi vlerat demokratike.