Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione

07.10.2020

Sot, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, i drejtuar nga Duda Balje, kryetare, ka mbajtur mbledhjen e radhës.

Për të raportuar para komisionit, lidhur me çështjen e personave të pagjetur në kuadër të dialogut me Serbinë, nga ana e qeverisë të ftuar ishin: Avdullah Hoti - kryeministër, Meliza Haradinaj - Stublla - ministere e Punëve të Jashtme dhe Selim Selimi - ministër i Drejtësisë, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj - Stublla nuk ishin të pranishëm në mbledhje, ndërsa ftesës i ishte përgjigjur Selim Selimi - ministër i Drejtësisë, si dhe përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Ministri i Drejtësisë, Selimi, theksoi se ai do të flasë në emër të qeverisë lidhur me çështjen e personave të zhdukur. Ndër tjera, ai tha se çështja e personave të pagjetur në kuadër të dialogut me Serbinë është prioritet i agjendës dhe se është arritur pajtueshmëri në disa parime.

“Tema e të pagjeturve nuk është çështje teknike, por është çështje juridike nacionale dhe se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare, nëse nuk ka zgjidhje të çështjes së të pagjeturve”, ka thënë ministri Selimi.

Ibrahim Makolli, përfaqësues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, shpalosi të dhëna lidhur me bisedimet për çështjen e personave të pagjetur, duke theksuar se si Komision kanë bërë gjithçka çfarë është e mundur lidhur me çështjen në fjalë.

“Jemi zotuar dhe ne do të angazhohemi maksimalisht që të zbardhim çështjen e të pagjeturve dhe se kjo temë do të mbyllet jo vetëm kur të gjendet i zhdukuri i fundit, por vetëm atëherë kur të marrë dënimin e merituar personi i fundit”, theksoi Makolli.

Pas marrjes së përgjigjeve nga ana e përfaqësuesve, si dhe pas shterjes së debatit, komisioni vazhdoi rrjedhën e punimeve të kësaj mbledhjeje duke i dhënë mbështetje me votë për të proceduar tutje Projektligjit për peticione, si dhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovë.