Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

18.12.2020

Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga nënkryetarja Arbërie Nagavci, vazhdoi me pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 16, 21, 29 tetor dhe 27 nëntor 2020 dhe seancat e tjera.   

Fillimisht, Nagavci sqaroi se deputetin Shpejtim Bulliqin, pas dorëheqjes së tij, do ta zëvendësojë Taulant Kryeziu, i cili me këtë rast dha betimin e deputetit.

 
Në vazhdim, lidhur me Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit, nuk pati kuorum të mjaftueshëm për tu hedhur në votim, meqë nevojiten 2/3 e deputetëve prezentë në sallë. E njëjta situatë ndodhi edhe me Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe për Projektligjin për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

 

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, ndërkaq, nuk u hodh në votim, meqë nuk ishin prezentë në sallë deputetët joshumicë.

 

Ndërkohë, kuorum të mjaftueshëm për vendimmarrje nuk pati as për votimin në parim të Projekt Kodit Civil të Republikës së Kosovës.

 

Edhe për pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25, 28 shtator, 8, 16, 29 tetor dhe 27 nëntor 2020, nuk pati kuorum për vendimmarrje. Kështu, në mungesë kuorumi gjatë pjesëmarrjes së votimit, nuk pati vendimarrje lidhur me votimin në parim të Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, për Propozim-rezolutën nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës,  z. Avdullah Hoti në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, , si dhe për Propozim-rezolutën nga Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

 

Në vazhdim të seancës, në sallë u paraqit zv/kryeministri Driton Selmanaj. Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje filluan të godasin tavolinat, duke kërkuar nga ai që ta lëshojë sallën.

 

Kryesuesja Nagavci kërkoi disa herë krijimin e kushteve për punë. Për të gjetur një zgjidhje, ajo njoftoi për pauzë, për një konsultim me Kryesinë e Kuvendit.

 

Edhe pas përfundimit të pauzës, vazhdoi situatë e njëjtë, ndërkaq kryesuesja Nagavci ndërpreu punimet e kësaj seance, duke bërë të ditur se për vazhdimin e saj do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

 

Ajo paralajmëroi se seanca e re plenare do të fillojë në orën 14:00.

 

Kryesuesja e Kuvendit hapi punimet e seancë së re, në të cilën i pranishëm ishte edhe zv/kryeministri Driton Selmanaj. Deputetë të GP të VV-së filluan të godasin serish tavolinat dhe kryesuesja dha një pauzë disa minutëshe, duke kërkuar nga kryetarët e grupeve parlamentare që të dakordohen për vazhdimin e seancës.

 

E njëjta situatë u përsërit edhe pas pauzës.

 

Pas kërkesës së përsëritur për krijimin e kushteve për mbajtjen e seancës, kryesuesja e Kuvendit bëri të ditur se në këto rrethana nuk mund të vazhdohet me punë, ndërsa paralajmëroi se për mbajtjen e seancës do të vendosë Kryesia e Kuvendit dhe deputetët do të njoftohen me kohë.