Kuvendi i Republikës së Kosovës

Delegacioni i Kuvendit në APKiE, takoi kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla

21.05.2022

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga znj. Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, si dhe znj. Ariana Musliu Shoshi e z. Arben Gashi, anëtarë, është pritur në Tiranë nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla.  
 
Në takim u diskutua lidhur me intensifikimin e angazhimeve të të dy parlamenteve dhe delegacioneve respektive në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, vetëm disa ditë pas aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
 
Kryesuesja e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Bogujevci, vlerësoi lart rolin e Shqipërisë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe në këtë linjë, mbështetjen e madhe të saj në procesin e aplikimit për anëtarësim në KiE.
 
Kryesuesja Bogujevci falëndëroi kryetaren Nikolla dhe delegacionin e Tiranës në APKiE për këtë kontribut.
 
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e Kuvendit të Shqipërisë për të lobuar në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të KiE-së për të mbështetur pranimin e Kosovës në këtë organizatë.  
 
Në funksion të arritjes së këtij objektivi, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u prit në një takim të vecantë edhe nga delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë pranë APKiE, kryesuar nga znj. Blerina Gjylameti, kryesuese e delegacionit.
 
Në këto takime të ngrohta e miqësore, u diskutua edhe për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit midis dy parlamenteve, në kuadër të veprimtarisë së përditshme parlamentare.  
 
Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni takoi edhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, z. Armand Skapi dhe drejtorin e përgjithshëm, z. Sokol Dedja.