Kuvendi i Republikës së Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vlora Dumoshi dhe Enis Kervan, po marrin pjesë në Komitetin për Kulturë, Shkencë, Edukim dhe Media të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

03.12.2021

Deputetët, Vlora Dumoshi dhe Enis Kervan, (kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik), anëtarë të Komitetit për Kulturë, Shkencë, Edukim dhe Media të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, po marrin pjesë në takimin e këtij komiteti që po mbahet në Paris të Francës, më 2 dhe 3 dhjetor 2021. 

Në takimin e këtij Komiteti, kryesuar nga, z. Oliver Becht, kryesues i këtij Komiteti, mes të tjerash u trajtuan shumë tema që ndërlidhen me zhvillimet aktuale, si: roli i mediave në kohë krizash, qeverisja e futbollit-biznesi dhe vlerat, rinia dhe media, gjurmo dhe kontrollo aplikacionet-sfidat etike, kulturore dhe edukative, promovimi i shkollimit dhe hulumtimi online përtej kufijve kombëtarë. Për të gjitha këto tema janë zhvilluar diskutime si nga anëtarët e Komitetit për Kulturë, Shkencë, Edukim dhe Media, po ashtu edhe nga ekspertë të ndryshëm të cilët janë lidhur online me pjesëmarrësit, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarëve të komitetit. 

Në pikën e diskutuar për promovimin e shkollimit dhe hulumtimeve online, përveç raportuesit për këtë temë, z. Lord Alexander Dundee, nga Mbretëria e Bashkuar dhe folësve të tjerë, fjalën e ka marrë edhe deputeti, Enis Kervan, përfaqësues i Kuvendit të Kosovës në këtë Komitet, i cili gjatë diskutimit të tij bëri një rezyme të shkurtë rreth kësaj teme, me të cilën po përballet edhe Kosova. 

Në fjalën e tij, deputeti i Kuvendit të Kosovë,  Kervan tha:“ Sot, këtu po diskutohet një çështje shumë të rëndësishme.  Për sa i përket promovimit të arsimit dhe kërkimit online përtej kufijve kombëtarë, do të doja të ndaja në pjesë të kohës tuaj të çmuar vetëm për të thënë disa fjalë, e që kanë të bëjnë  me vendin tonë. Prandaj, dëshiroj t’ju informoj shkurtimisht për arsimin në distancë në Kosovë”. 

Pas përhapjes së “Covid-19” në Kosovë, vijoi Kervan,  dhe pas një mbylljeje të vendit tonë, Ballkanit, Evropës dhe mbarë botës, nuk kishte mbetur zgjidhje më e mirë, përveçse të zhvillohet mësimi online. Kështu, arsimi në distance hyri në jetën tonë. Pra, për këtë ne kemi inkurajuar dhe aktivizuar edukimin online si një nga opsionet më të mira në rrethana të tilla. Pavarësisht disa mangësive dhe vështirësive, arsimi në distancë është realizuar me sukses në gjuhen shqipe, turke, boshnjake dhe disa lëndë edhe në gjuhen rome.  Mësimet,  shtoi ai, në të gjitha këto gjuhë janë ofruar dhe ofrohen në TV kanale, youtub si dhe në platforma të ndryshme pa diskriminim. Sigurisht, kjo është arsyeja se pse ne kemi nevojë për zhvillimin teknologjik të fëmijëve tonë, mbështetjen dhe solidaritetin. Unë mendoj se, është  shumë e nevojshme për të promovuar arsimin dhe kërkimin online, përtej kufijve kombëtarë, përfundoi fjalën e tij, z. Kervan. 

Në takimin e këtij Komiteti është votuar edhe për “Çmimi i Muzeut të Këshillit të Evropës 2022”, i cili u nda për Nano Nagle Place (Cork, Irland).