Kuvendi i Republikës së Kosovës

Grupi i Miqësisë Kosovë-Gjermani takoi ambasadorin gjerman, Jörn Rohde

30.06.2022

Me ftesë të Kryetares së Grupit të Miqësisë me Gjermaninë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Shqipe Mehmeti Selimi, Grupi i Miqësisë Kosovë-Gjermani mbajti sot një takim kurtuazie me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Gjatë takimit kryetarja e Grupit të Miqësisë me Gjermaninë, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit, theksuan rëndësinë e zhvillimit të diplomacisë parlamentare përmes grupeve të miqësisë, me theks të veçantë rëndësinë e zhvillimit dhe thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë - mundësive për zhvillimin e iniciativave të reja në interes të vendit, intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar me Gjermaninë, si dhe përkrahjen e Gjermanisë në synimet e Kosovës për lëvizje të lirë në zonën Schengen dhe rrugëtimin integrues të Kosovës në strukturat euro-atlantike.

Në përgjigje të deputetëve, ambasadori gjerman theksoi se mbështet plotësisht përpjekjet e Grupit të Miqësisë me Gjermaninë në Kuvendin e Kosovës për të rritur bashkëpunimin me Gjermaninë, sidomos në nivel parlamentar.

Gjithashtu, Rohde rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën, duke u shprehur se marrëdhëniet ekzistuese mes Kosovës dhe Gjermanisë janë të shkëlqyeshme. Ai konfirmoi gjithashtu se Gjermania e mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Rohde në veçanti u interesua për agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës, zhvillimi i së cilës, sipas tij, do t’ua lehtësonte jetën qytetarëve. 

Përveç kryetares së Grupit të Miqësisë, Shqipe Mehmeti Selimi, në takim morën pjesë edhe deputetët Elmi Reçica, Armend Zemaj, Bekë Berisha, Burim Meta, Mërgim Lushtaku dhe Luan Aliu, anëtarë të Grupit të Miqësisë Kosovë-Gjermani në Kuvendin e Republikës së Kosovës.