Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere mbajti mbledhjen e radhës

27.10.2021

Mbledhja e sotme e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, e kryesuar nga Armend Muja, filloi me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2020, pikë kjo e trajtuar edhe në mbledhjen  e kaluar.

Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti me bashkëpunëtorë dhanë sqarime në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, në lidhje me çështjet e ngritura. 

Në fund anëtarët e Komisionit ranë dakord që drejtuesit e BQK-së të dërgojnë përgjigje me shkrim në lidhje me disa nga pyetjet e drejtuara ndaj tyre.

Pas marrjes së këtyre përgjigjeve, kryetari Muja tha se raporti do të hidhet në votim, në mbledhjen e ardhshme.

Në mbledhjen e sotme u shqyrtua edhe raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale për vitin 2020, të cilin para anëtarëve të Komisionit e prezantoi kryesuesi i Bordit, Ruzhdi Morina. Debati në lidhje me këtë raport, me propozim të kryetarit Armend Muja, u shty për mbledhjen e ardhshme. 

Po për mbledhjen e radhës u shty edhe votimi i raportit Vjetor Financiar të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2020.

Në vijim të mbledhjes Komisioni shqyrtoi kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2021, i cili u miratua me votat e shumicës së anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.