Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit

21.04.2021

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), të martën, më 20 prill 2021, zhvilluan një vizitë pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit, me ç’rast u priten në takim nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe bashkëpunëtorët e tij.
              
Kryetarja e KMFP-së, Hykmete Bajrami, nënkryetarja Arta Bajralija, si dhe anëtarët Eman Rrahmani, Mirlinda Sadiku, Jetmire Vrenezi, Hajdar Beqa, Fadil Nura dhe Albana Bytyqi u njoftuan në detaje nga përfaqësuesit e ZKA-së lidhur me zbatimin e Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018-2021 dhe Planit aktual vjetor të auditimit, procesin e Auditimit, Kontrollin e cilësisë dhe Sigurimin e cilësisë, Sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit – SITA, Zhvillimin Profesional dhe Komunikimi me palët e interesit, si dhe për bashkëpunimin me organet e drejtësisë dhe organizmat përkatëse për luftimin e korrupsionit. 

Më tutje ligjvënësit u njoftuan edhe me nevojën e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, në mënyrë që auditimet të përzgjidhen duke vlerësuar shkallën e rrezikut për paranë publike. Këto ndryshime do të ndikonin në rritjen e numrit të auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditimeve të performancës.

Kryetarja e KMFP-së, Hykmete Bajrami ka thënë se informatat e prezantuara nga përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit janë mjaft të vlefshme për punën e Komisionit për Financa Publike, i cili merret me shqyrtimin e raporteve të auditimit. Bajrami ka deklaruar se përmes shqyrtimit të raporteve të auditimit të organizatave buxhetore në KMFP Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon rritjen e përgjegjësisë llogaridhënëse nga institucionet e audituara në mënyrë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve dhe adresimin e mangësive të raportuara.  

Anëtarët e KMFP-së u interesuan të dinë nëse ZKA-ja do të mund ta përmbush planin auditues 2020/2021 për shkak të pandemisë Covid 19, sipas dinamikës së paraparë, në mënyrë që të bëhen harmonizimet e nevojshme për planin e punës së Komisionit. 

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike vlerësuan punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit duke shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në mënyrë që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen në vend dhe shërbimet ndaj qytetarëve.