Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim mbajti dëgjim publik për Projektligjin nr.08/L-065 për Produktet Biocide

24.05.2022

Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, i kryesuar nga Albena Reshitaj, kryesuese e Grupit punues për Projektligjin nr.08/L-065 për Produktet Biocide, mbajti dëgjim publik për të adresuar rekomandimet e akterëve të linjës për këtë projektligj.

Në këtë takim, të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria e Mjedisit (sponzorizuese e projektligjit), Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Dogana e Kosovës, përfaqësues të bizneseve, si dhe ekspertë nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Duke e konsideruar mjaft të rëndësishëm këtë projektligj, rekomandimet për produktet biocide u vlerësuan si çështje prioritare për trajtim që duhet të merrën në konsideratë nga ekspertët e fushës, përfshirë edhe definimin se çka hynë në grupin e biocideve, dhe si duhet kujdesur ndaj tyre.

Pasi kërkuan udhëzim të qartë për biocidet, të pranishmit në këtë takim adresuan edhe nevojën për përcaktimin e një organi apo institucioni përgjegjës të mbikëqyrjes së biocideve, importimit, shitjes, si dhe monitorimit të tyre.

Sipas tyre, rregullimi i çështjeve për biocidet që parashihet të bëhet nëpërmjet këtij projektligji, do të lehtësonte dukshëm funksionimin e akterëve të linjës, meqë do të përcaktojë institucionin licensues dhe mbikëqyrës së operatorëve të biocideve të licensuara.

Në këtë takim, ndër të tjera u diskutua edhe lidhur me kohëzgjatjen e licensave për import, listën e BE-së për substancat aktive të aprovuara, ofrimin e shërbimeve me dezinfektim, deratizim dhe dezinsektim, si dhe mundësinë e krijimit të platformës “online” për licensim.

Pas diskutimeve konstruktive për rregullimin e çështjes së biocideve në vend, nga anëtarët e komisionit u tha se rekomandimet dhe vërejtjet e dala nga ky takim, pas dërgimit me shkrim të tyre brenda afatit njëjavor, do të shqyrtohen gjatë draftimit të mëtutjeshëm të projektiligjit, në mënyrë që çështjet relevante të adresuara të bëhen pjesë integruese e tij.