Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit të Çekisë u prit nga Komisioni për Integrim Evropian 

29.09.2022

Komisioni për Integrim Evropian, i drejtuar nga zv/kryetarja e parë, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, priti sot në takim delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Çekisë, i cili po qëndron për vizitë në vendin tonë. 

Pasi hapi takimin, zv/kryetarja Hyseni Kryeziu falënderoi delegacionin nga parlamenti çek për vizitën në Kosovë dhe gjithashtu për mbështetjen e rëndësishme që Republika e Çekisë ka dhënë për vendin tonë ndër vite. 

Në vijim, anëtari i këtij komisioni, deputeti Elmi Reçica i njohu deputetët çekë për zhvillimet politike në vendin tonë, për arritjet e Kosovës në shumë fusha dhe për aspiratat euro-atlantike të saj. 

Deputeti Reçica e konsideroi të domosdoshme heqjen sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës, duke u mundësuar qarkullimin e lirë në Zonën Schengen si të gjithë qytetarëve të tjerë të rajonit. Ai kërkoi mbështetjen e Çekisë në këtë proces por edhe në forcimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. 

Duke konfirmuar mbështetjen e tyre, anëtarët e delegacionit mysafir shprehën interesimin për zhvillimet aktuale në vendin tonë, për jetën parlamentare dhe përgjegjësitë e Komisionit për Integrim Evropian.