Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

27.10.2021

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, drejtuar nga Fatmire Kollçaku, kryetare, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën u diskutua për zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës lidhur me luftën kundër kancerit të gjirit. 

Kryetarja Kollçaku, lidhur me sëmundjen e kancerit të gjirit theksoi se është një nga problemet më serioze të trajtuara çdo vit në komision dhe më gjerë, ndaj diskutimi për zbatimin e rezolutës së Kuvendit, sipas saj, merr një përkushtim të veçantë. Kollçaku lexoi 11 pikat e rezolutës për të treguar gjithpërfshirjen për zbatimin e kësaj rezolute dhe pamundësinë për implemetimin e plotë të saj brenda një mandati.

Deputeti Bekim Haxhiu në fjalën e tij theksoi duhet ftuar përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, për të raportuar lidhur për implementimin e kësaj rezolute. 

Deputeti Armend Zemaj ndër të tjera falënderoi ekipin e punonjësve të Onkologjisë, të cilët edhe pse në kushtet më të rënda të krejt Kosovës gjatë pandemisë, sipas tij, nuk e ndalën asnjëherë punën duke qenë pranë pacientëve.

Të gjithë deputetët ranë dakord që të thirret një delegacion nga Ministria e Shëndetësisë për të raportuar rreth zbatimit të kësaj rezolute.