Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Çekisë

29.09.2022

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci, deputeti Mefail Bajçinovci dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Çekisë, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Marek Ženišek, me ç’rast diskutuan për zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimin ndërparlamentar dhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike.
 
Kryetari Konjufca çmoi lart raportet miqësore dhe theksoi se fuqizimi dhe zgjerimi i partneritetit dypalësh mbetet prioritet yni. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen që Republika e Çekisë i ka dhënë Republikës së Kosovës në proceset e saj të shtetndërtimit dhe integrimit euroatlantik. 

Na gëzon fakti që mbështetja e fuqishme e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor qëndron lartë në prioritetet e Presidencës aktuale çeke të BE së, theksoi kryetari Konjufca, duke kërkuar po ashtu që procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave për qytetarë tanë të jetësohet sa më parë. 

Kryetari i Kuvendit i njoftoi parlamentarët çekë edhe me qëndrimin e Kosovës dhe masat e ndërmarra në raport me agresionin rus në Ukrainë, duke theksuar se shtetet tona ndajnë qëndrime të përbashkëta në dënimin dhe sanksionimin e Rusisë.    

Parlamentarët çekë konfirmuan gatishmërinë për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përkushtimin e Republikës së Çekisë për vazhdimin e mbështetjes së gjithanshme ndaj Republikës së Kosovës.