Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi miratoi rezolutën për moslejimin e referendumit të Serbisë në Kosovë

15.01.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, mbajti sot seancë të jashtëzakonshme, të kërkuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, me vetëm një pikë të rendit të ditës, diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Para se të fillohet me diskutimet, kryetari Konjufca kërkoi nga deputetët të mbajnë një minutë heshtje në nderim të 23 vjetorit të të rënëve në masakrën e Reçakut.

Më pas, fjalën e mori kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe se askujt nuk është duke iu mohuar e drejta e votës.

“Po e filloj këtë fjalë duke përmendur disa nocione që të gjithë këtu i dimë dhe për të cilat edhe krenohemi shpesh: sovraniteti, barazia, demokracia, pavarësia. Të gjitha këto nocione të integruara në Kushtetutë marrin kuptim të plotë dhe kanë vlerë të saktë. Kushtetuta jonë shprehimisht përcakton që të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Krahas kësaj përcaktohet saktë edhe përkufizimi i shtetit tonë si i pavarur, sovran dhe demokratik. Shtet që respekton parimet e barazisë para ligjit dhe garanton të drejtat dhe lirië e njeriut. Në Republikën e Kosovës të drejtat dhe liritë themelore vlejnë për të gjithë qytetarët dhe vlejnë njësoj edhe kur vjen fjala për të drejtën e votës”, tha kryeministri Albin Kurti.

Por, sipas tij, ushtrimi i kësaj të drejte duhet të bëhet nën ombrellën e normave juridike të Kosovës dhe duke respektuar rregullat për votim jashtë vendit që vlejnë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të parapara me Ligjin për Zgjedhje.

“Votimi për referendum mund të bëhet në zyrën ndërlidhëse në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën tonë. Serbët e Kosovës në këto vite nuk kanë votuar si votues jashtë vendit, por si votues brenda vendit. Problemi nis te Kushtetuta e Serbisë që  Kosovën e konsideron pjesë të saj. Megjithatë një gabim që ka vazhduar me vite , nuk e arsyeton vazhdimin e një gabimi të njëjtë. Kosova është shtet sovran dhe duhet të trajtohet si i tillë. Organizimi i votimit jashtë zyrës ndërlidhëse është kundër kufijve të ligjit dhe parimeve kushtetuese të Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Në fund kryeministri lexoi një projekt-rezolutë, me anë të së cilës theksohet qëndrimi se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Kosovë cenon rendin kushtetues dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, si dhe është në kundërshtimin me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe normat e praktikat ndërkombëtare. Kryeministri Kurti kërkoi nga partitë parlamentare që ta përkrahin këtë projekt-rezolutë.

Qëndrimet e tyre në lidhje me këtë diskutim i dhanë përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se kërkesa për mbajtjen e referendumit të Serbisë edhe në territorin e Kosovës është e padrejtë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Ajo tha se nuk haset një praktikë e tillë në asnjë vend. Ajo tha se me lejimin e këtij procesi shkelen dispozitat themelore të ligjit më të lartë mbi përkufizimin e shtetit dhe sovranitetit, Kushtetutës.

“Kjo seancë sot mbahet për t’u përcjell qartë dhe drejt qëndrimi i të gjitha grupeve parlamentare për arsyet pse nuk bën assesi të mbahet referendumi i një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë është e padrejtë dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e saj. Nuk e hasim një praktikë të tillë të realizuar ndonjëherë në territorin tonë dhe as në ndonjë vend sovran ku qytetarët pyeten për çështje tërësisht të brendshme të një shteti të huaj”, tha Kusari Lila.

Ndërsa, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Lumir Abdixhiku tha se LDK-ja kundërshton mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, ndërkohë që sipas tij, kjo temë nuk ka nevojë për trajtim.

“Për LDK-në mbajtja e referendumit të një shteti tjetër është çështje e mbyllur para se të nisë sepse kjo tendencë përveç se jo kushtetuese dhe jashtë normave ligjore që vendi ynë i ka, është në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet bazike të demokracisë dhe në kundërshtim të relacionit që shtetet sovrane kanë ndaj njëra-tjetrës”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, referendumi i Serbisë mohon integritetin territorial të Kosovës dhe rendin kushtetues. Me mbajtjen e referendumit, shtoi Abdixhiku, Serbia dëshiron të dëshmojë shtrirjen e sovranitetit të shtetit serb mbi Kosovën.

Ndërkaq kryetari i GP Lista Serbe, Sllavko Simiq, ftoi kryeministrin Albin Kurti që ta ndryshojë vendimin dhe të lejojë mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.

“Nuk dëshironi t’i lejoni serbët të shprehen në referendum. Në emër të Listës Serbe ju bëj thirrje që ta ndryshoni vendimin tuaj dhe të veproni mbi të gjitha ato parime që jeni thirrur”, tha ndër të tjera Simiq.

Në emër të GP të AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj tha AAK-ja e mbështet vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, duke shtuar se votimi përmes postës dhe ai përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë i përmbush praktikat ndërkombëtare.

Haradinaj kërkoi nga qytetarët që të respektojnë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“AAK po ashtu i fton qytetarët e Kosovës, veçanërisht ata të komunitet serb në Kosovë, që të respektojnë ligjet e Kosovës dhe po ashtu të mbështesin institucionet e Kosovës në zbatimin e ligjit. Me këtë rast AAK-ja dhe grupi parlamentar i fton aleatët dhe ata të sigurisë që ta përkrahin Kosovën per ruajtjen e rendit kushtues të Kosovës”, theksoi ai.

Mbështetje propozimit të rezolutës nga ana e kryeministrit Kurti dhe GP Vetëvendosje, nëpërmjet deputetit Erxhan Galushi, i dha edhe Grupi Multietnik.

Seanca vijoi me diskutime nga deputetët e partive në pozitë dhe në opozitë, si dhe përfaqësues të Qeverisë, ndërsa GP i LDK-së propozoi një pikë shtesë në tekstin e rezolutës.

“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të përdor praktikat më të mira ndërkombëtarë dhe të jetë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, është pika që kryetari i GP të LDK-së Arben Gashi kërkoi që të futet në projekt-rezolutë.

Pas bashkërendimit të pikave mes grupeve parlamentare, me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën, me këtë përmbajtje:

1.     Kuvendi i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare;

2.     Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Republikës së Kosovës;

3.     Kuvendi thekson përkushtimin e Republikës së Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës;

4.     Në këtë frymë, Kuvendi i Republikës së Kosovës vë në pah të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të Republikës së Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe me praktikat ndërkombëtare. Në rastin konkret, të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë, u garantohet e drejta që të votojnë nëpërmjet postës dhe Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë;

5.     Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit për referendumin e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, sikundër edhe përfshirja e grupacioneve apo strukturave ilegale në një organizim të tillë, përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare;

6.     Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Republikës së Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës;

7.     Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Republikës së Kosovës, meqë vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet e rajonit, mund të garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euroatlantike e rajonit tonë. Gjithashtu, kërkon nga Qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjikë të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit shtetëror;

8.     Kuvendi i Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj, si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës euroatlantike në rajonin tonë.

 

https://www.kuvendikosoves.org/Uploads/Data/SessionFiles/2022_01_15_(15_01_2022)Rezolutanr.08-R-002_YetF4dJGTR.pdf