Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

03.12.2021

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga Bekë Berisha, kryetar i komisionit, raportoi ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Fillimisht, ministri Mehaj gjatë raportimit të tij lidhur me çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes, tha se për tetë muajt e kaluar, Komisionin e ka mbajtur gjithnjë të informuar në kohë reale dhe me raporte reale, për çdo aktivitet.   Ndërkaq,  foli në detaje lidhur me planet të cilat synojnë t’i realizojnë gjatë këtij mandati, duke shpalosur në vijim të gjitha aktivitetet të cilat i kanë mbajtur. 

Ministri Mehaj foli për rritjen e kapaciteteve të FSK-së, sa i përket burimeve njerëzore dhe për pajisjet ushtarake, mirëpo për detaje tjera shtesë kërkoi nga anëtarë të Komisionit që ky takim të zhvillohet i mbyllur. Tutje, foli edhe për rritjen e buxhetit dhe për pjesëmarrjen e FSK-së jashtë vendit. Vlera a paisjeve të cilat janë blerë për këto tetë muaj, sipas ministrit Mehaj, kap shifrën rreth 32 milionë euro, i cili sqaroi tutje se janë blerë autoblinda dhe lloje tjera të armatimeve, snajperë, dronë, etj.

Pasi informoi Komisionin edhe lidhur me rekrutimin e pjesëtarëve të rinj të FSK-sw,  Mehaj tha se për vitin 2022 kanë kërkuar rritje të buxhetit, me qëllim që të bëhen  avancime të kapaciteteve ushtarake. “Për vitin 2022 janë ndarë 103 milionë euro”, sqaroi ai. 

Një çështje tjetër të cilin e shpalosi ministri Mehaj, ishte edhe çështja e ndryshimit të ligjeve. Me theks të veçantë, ai përmendi faktin se me qëllim të përmirësimit dhe funksionimit dhe mbikëqyrjes së kontrollit demokratik, rritjes së transparencës dhe llogaridhënies janë në fazën finale të rishikimit të tri ligjeve bazike, të cilat do të adresohen së shpejti në qeveri, siç janë: Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligji për FSK-së, dhe Ligji për shërbimin në FSK-së. 

Ministri Mehaj shpalosi detaje edhe lidhur me ushtrimet e FSK-së në misionet ndërkombëtare, si dhe foli për pjesëmarrjen e tyre në misionet tjera të radhës. 

Përkitazi me bashkëpunimin me SHBA-të, ministri Mehaj tha se deri më tani nuk ka pasur bashkëpunim më të mirë se sa sot me SHBA-të. Dhe, sipas tij,  këtë mund ta konfirmojnë edhe vet SHBA-të, duke shpalosur tutje edhe çështjet rreth vizitës së tij në këtë shtet. Mehaj tha se kanë marrë edhe konfirmimin që Kosova të jetë nikoqire e operacionit ushtarak “Defender Europe 2023”.

Krejtësisht në fund të takimit, ministri Mehaj prezantoi edhe nënshkrimet e marrëveshjeve bilatarele ushtarake, të cilat i ka pasur deri më sot, pjesëmarrjen e FSK-së nëpër forume ndërkombëtare të sigurisë, si dhe për angazhimet tjera rreth anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare. Mehaj tha se rrugëtimi i Kosovës është në drejtim të NATO-s dhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë të sigurisë. 

Një pjesë e këtij takimi u zhvillua me dyer të mbyllura.