Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

18.01.2022

Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nën drejtimin e kryetarit Ferat Shala, mbajti mbledhjen e parë për këtë këtë vit.

Fokusi i diskutimit ishte në mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit Nr. 08-Re 007, datë 12.08.2021, lidhur me auditimin e performancës së ndërmarrjes publike KOSTT SH.A.

Për t’i prezantuar gjetjet dhe planet e veprimeve konform rekomandimeve nga ZKA-ja, të ftuar ishin përfaqësuesit e Ndërmarrjes publike KOSST, nga bordi dhe menaxhmenti, Jeton Mehmeti, Kadri Kadriu dhe Mimoza Hyqmeti.

Raporti i parë i prezantuar nga përfaqësuesit e KOSST-it, kishte te bënte me vendimet lidhur me strukturën organizative të KOSST-it.

Ndërsa raporti i dytë kishte të bënte me dhënien e pëlqimeve për ndërtim, shfrytëzim të pronës së KOSTT-it nga palët e tjera, marrëveshjet për blerjen e energjisë elektrike të prodhuar, në mes të Ndërmarrjes Publike KOSTT dhe kompanive të tjera që operojnë me burime të ripërtritshme lidhur me pagesat dhe tarifat nxitëse.

Ndër të tjera, çështje që morën vëmendje dhe që ende mbesin në pritje për përgjigje ishin edhe rasti i 23 pozitave drejtuese në KOSST, pa pasur konkurs të brendshëm dhe pa u përfillur baza ligjore, si dhe u përmend çështja e shkeljes së zonës së sigurisë nga objekte shkollore akademike, si ndërtimi i Fakultetit të Bujqësisë. 

Në lidhje me këtë, kryetari i komisionit kërkoi nga KOSST-i që komisionit t’i dërgojë zyrtarisht një informatë përmbledhëse të komunikimit që KOSST-i ka pasur me institucionet komunale relevante, duke cekur kohën dhe datën kur është realizuar komunikimi dhe ndërtimi i objektit.
 
Për fund u diskutua shkresa zyrtare të cilën e ka adresuar sindikata e KOSTT-it, çështje kjo për të cilën komisioni mbeti në pritje të përgjigjes me shkrim nga KOSST-i, duke qenë se këta të fundit nuk e posedonin një shkresë të tillë.

Komisioni po ashtu diskutoi edhe lidhur me letrën e dërguar kryetarit të Kuvendit nga KOSTT-i, lidhur me gjendjen e rënduar financiare.

Komisioni vendosi që mbledhjen e radhes t'i shqyrtojë në parim tri projektligje dhe ta ftojë ZRRE-në lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjise elektrike.