Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione

17.09.2021

Nën drejtimin e kryetares Duda Balje, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, mbajti sot takim me Përfaqësues nga Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës.

Në këtë takim temë diskutimi ishte formimi i Komisionit mediko-social me përbërje gjithëpërfshirëse. 

Përfaqësuesit e kësaj iniciative në fjalën e tyre, kërkuan nga anëtarët e komisionit që të rregullohet çështja e Komisionit mediko-social, me mjekë profesionistë, si dhe me përfshirje të gjerë nga shoqëria civile, duke theksuar nevojën e shtrirjes së këtij komisioni edhe në qendrat tjera rajonale. 

Po ashtu, ata kërkuan që të rregullohet edhe çështja e rivlerësimit të personave të verbër. Sipas tyre, personat e verbër të cilët hyjnë në grupin e parë nuk duhet rivlerësuar.

Kryetarja Duda Balje theksoi se komisioni do të ndihmojë në rregullimin e këtyre çështjeve, aq sa i takon, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut, duke u thirrur në bashkëpunim edhe me komisionet tjera parlamentare.

“Ne do të angazhohemi, aty ku na takon, kundër shkeljeve të të drejtave të personave të verbër. Do të bashkëpunojmë edhe me Komisionin për Shëndetësi, në plotësim-ndryshimin e Ligjit për shëndetësi”, theksoi Balje.

Komisioni në kuadër të fushëveprimtarisë, diskutoi edhe për takimin e radhës dhe modalitetet e këtij takimi, për të shqyrtuar Ligjin kundër dhunës në familje.