Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

04.08.2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje u hodhën në votim 7 raporte vjetore financiare, prej të cilave asnjë nuk mori mbështetjen e Komisionit.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, nuk miratoi raportin vjetor financiar të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020, raportin vjetor financiar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2020, raportin vjetor financiar të Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit  për vitin 2020, raportin vjetor financiar të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, si dhe raportin vjetor financiar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Komisioni vijoi punën me shqyrtimin e raportit të shpenzimeve për  gjashtëmujorin e vitit 2021, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilin para deputetëve e prezantoi sekretari Ismet Krasniqi. 

Pas diskutimeve, raporti u përkrah njëzëri nga anëtarët e Komisionit dhe i njëjti dërgohet në Kryesinë e Kuvendit për miratim.

Në vazhdim mbledhjes u shqyrtua raporti i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020, të cilin e prezantoi drejtori Nazim Rrahimi. 

Pas prezantimit, u hap debati, me ç’rast deputetët shtruan pyetje për çështje të ndryshme, të cilat morën përgjigje nga drejtori i ARKEP-it.

Raporti i ARKEP u hodh në votim, por i njëjti nuk mori mbështetjen e Komisionit.

Në vijim u shqyrtua Projektligji për ratifikimin e Amendamentit Nr.1 të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke prezantuar këtë projektligj tha se bëhet fjalë për një kredi prej 62 milionë eurosh nga qeveria hungareze, si vazhdimësi e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2016.
Ky projektligj mori votat e shumicës së anëtarëve të Komisionit.

Komisioni miratoi edhe tri kërkesa për hulumtime parlamentare, si dhe mbështeti Projektligjin nr.08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.06/L-057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.