Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, mbajti sot mbledhjen e radhës, të udhëhequr nga kryetari Ardian Gola.
Gjatë mbledhjes deputetët diskutuan gjerësisht lidhur me Planin e Punës së Komisionit për vitin 2021. Nga anëtarët e komisionit u propozua që të bëhet plotësim- ndryshimi i disa ligjeve që bien në fushëveprimtarinë e këtij komisioni, si dhe të bashkëpunohet më të gjitha grupet e interesit.
Në vazhdim, në komision raportuan përfaqësuesit e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, për Raportin vjetor të punës për vitin 2020.
Isuf Koci, udhëheqës ekzekutiv i KKTK-së, prezantoi punën dhe aktivitetet e këtij institucioni, duke vënë në pah hartimin e raporteve informuese dhe analitike lidhur me gjendjen e trashëgimisë kulturore. Ai përmendi edhe bashkëpunimin me organizata dhe akterë të ndryshëm të trashëgimisë kulturore, si dhe disa trajnime dhe projekte vullnetare. Ndër të tjera, Koci theksoi se KKTK-ja ka hartuar raportin për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit.
Anëtarët e komisionit drejtuan pyetje në adresë të këtij institucioni, ndërsa përfaqësuesit e KKTK-së kanë dhënë sqarimet e nevojshme.
Ndërkaq, u dakordua që lista e kandidatëve për Anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore të shqyrtohet në mbledhjen e radhës.