Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

21.09.2021

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, nën drejtimin e kryetarit Ardian Gola, mbajti sot mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor, në të cilën të ftuar për raportim ishin përfaqësues të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Kryetarja e KSHC-së, Hasnije Ilazi, gjatë prezantimit të saj, bëri të ditur se puna e deritanishme e këtij institucioni ka qenë e fokusuar në akreditimin e programeve të arsimit të lartë, shqyrtimin e rekomandimeve të ENCAR, siç janë: Ligji për akreditikmin e agjencisë, pavarësimi buxhetor për AKA-në, si dhe plotësimi i stafit profesional. 

Po ashtu ajo foli edhe për plotësimin e standardeve lidhur me bartësit e programeve në universitetet e të cilët nuk kanë të publikuara punime shkencore jashtë vendit. Ilazi shtoi se programet që janë në proces të riakreditimit prej 1 tetorit do të shtyhen edhe për një vit.

Ndërkaq, anëtarët e komisionit, nga ana e tyre shtruan pyetje dhe ngritën shqetësime lidhur me monitorimin e programeve arsimore në arsimin e lartë, ligjërimin e profesorëve në dy apo me tepër universitete, largimin e anëtarëve ndërkombëtarë, rekomandimin e vizitave më të shpeshta në universitete nga KSHC-ja etj.

Në fund të takimit Komisioni u dakordua që të bëjë një plan veprimi për monitorimin e zbatimit të Ligjit për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe të dokumentacionit pedagogjik.