Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

18.01.2022

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, mbajti mbledhjen e parë të sesionit pranveror, të kryesuar nga Ardian Gola, kryetar, në të cilën u  shqyrtua në parim Projektligji nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, para anëtarëve të komisionit e prezantoi këtë projektligj, duke theksuar se nëpërmjet tij do të rregullohet statusi për akreditim, i cili për qëllim ka sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë. 

Sipas saj, KSHC-ja do t’i ketë gjashtë anëtarë vendorë, ndërsa gjashtë të tjerë do të jetë ndërkombëtarë, duke shtuar se një strukturë e tillë siguron pavarësinë e Agjencisë për Akreditim. Ndërkaq, risi tha ajo, do të jetë monitorimi i vazhdueshëm i arsimit të lartë. 

Ministrja vlerësoi se ky projektligj është i një rëndësie të veçantë dhe nga ana e deputetëve kërkoi aprovimin e tij. 

Në mungesë kuorumi Komisioni ndërpreu mbledhjen për të vazhduar votimin në një nga mbledhjet e radhës.