Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë

27.10.2021

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë, mbajti mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Fitore Pacolli- Dalipi, kryetare në të cilën u shqyrtua Raporti vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2020.

Duke prezantuar raportin, zëvendësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Linda Çavdarbasha, tha se gjatë kësaj periudhe janë bërë ndryshime në mjedis krahasuar me vitet paraprake.

Çavderbasha vuri në dukje shqetësimet lidhur me ndotjen dhe cilësinë e ajrit, si dhe atë të ujit, e cila sipas saj, vazhdon të jetë e ndikuar nga ndotja e që vjen si pasojë e shkarkimeve të ujërave urbane industriale, hedhjes së mbeturinave në lumenj etj. Sipas saj, aktualisht monitorimi i cilësisë së ujërave sipërfaqësore kryhet në 54 pika, ndërkaq monitorimi i sasisë kryhet në 26 stacione.

Çavderbasha foli edhe për zonat e mbrojtura dhe biodiversitetin, menaxhimin e mbeturinave, shëndetin publik, shfrytëzimin i resurseve natyrore si dhe masat e ndërmarra të ministrisë lidhur me përmirësimin e gjendjes së mjedisit.

Anëtarët e komisionit shtruan pyetje dhe ngritën shqetësimet e tyre lidhur me numrin e licencave të gurëthyesve, dëmtimin e pyjeve, vetëdijesimin e qytetarëve përkitazi me ndotjen e ambientit, gjendjen e deponive, masat për parandalimin e ndotjes së ajrit etj.

Pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën zëvendësministrja Çavderbasha dhe drejtori i Agjencisë për Mjedis, Afrim Berisha, duke dhënë sqarimet e nevojshme.

Pas diskutimeve, Komisioni e përkrahu Raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2020, duke e proceduar tutje në Kuvend.

Sipas rendit të ditës, anëtarët e Komisionit formuan edhe grupet punuese për projektligjet të cilat kanë kaluar në lexim të parë, si: Projektligji për Odat e Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit, Projektligji për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor, Projektligji për Shitjen e Banesave, Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, Projektligji për Mbeturinat nga Industria e Nxjerrjes së Mineraleve.

Në këtë mbledhje, Komisioni ndërmori iniciativën për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-088 për rregullat e trafikut rrugor.