Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

23.05.2022

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, drejtuar nga Ferat Shala, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës. 

Në këtë mbledhje, u shqyrtua raporti me amendamente për Projektligjin nr.08/L-075 për Markat Tregtare.

Deputeti Driton Hyseni, kryesues i grupit punues për këtë projektligj, e paraqiti raportin, ku ndër tjera tha se ky raport përmban gjithsej 57 amendamente, kryesisht teknike. 

Më pas, komisioni e votoi këtë raport, i cili do të procedohet për procedura të tjera në Kuvend. 

Në vazhdim, anëtarët e këtij komisioni diskutuan me anëtarët e Bordit të ZRrE-së, pas situatës së krijuar pas aktvendimit të Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike. Mirëpo, me kërkesë të Bordit të ZRrE-së, kjo pikë e rendit të ditës u mbajt me dyer të mbyllura.