Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë

25.05.2021

Plani legjislativ i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe prioritetet e saj, ishin disa nga çështjet për të cilat ka raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ministrja Donika Gërvalla-Schwarz.

Mbledhja është kryesuar nga kryetari i Komisionit, Haki Abazi, i cili në nisje të takimit vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet Komisionit dhe Ministrisë.

Gjatë raportimit të saj, edhe ministrja Gërvalla – Schwarz u shpreh e gatshme për bashkëpunim të pa rezervë me secilin anëtar të Komisionit, duke konstatuar se bashkëpunimi i ngushtë do të bëjë që sukseset të jenë më lehtë të arritshme.

Duke folur për agjendën legjislative, ndërkaq, ministrja listoi një varg projektligjesh, të cilat, sipas saj, do të procedohen gjatë këtij viti.

Projektligjet e prezantuara sot nga ministrja, e që janë të përfshira edhe në Programin Qeverisës janë: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes Ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi, ”Në Kontestin e Aderimit në Bashkimin Evropian”, Projektligji për Zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shenjëstruara, Projektligji për Shërbimin e Jashtëm, Projektligji për Diasporën dhe Projektligji për protokollin e shtetit.

Lidhur me këto projektligje, ministrja Gërvalla – Schwarz, sqaroi në hollësi për fushën që do të rregullojnë ato.

Pas kësaj, deputetët ngritën një varg çështjesh që kishin të bënin me fushëveprimtarinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Interesim të theksuar, deputetët, kryesisht nga radhët e opozitës, shfaqën lidhur me 12 ambasadorët, të cilët ministria i ka tërhequr nga vendet përfaqësuese. 

Lidhur me këtë, ministrja Donika Gërvalla-Schwarz, fillimisht sqaroi se ata, në cilësinë e ambasadorëve do të përfaqësojnë vendin deri më 30 gusht. Për sa i përket zëvendësimit të tyre, ministrja bëri të ditur se ky veprim është në vazhdën e tërësishme të reformave në Ministri, si dhe zbatimin në plotni të ligjit.

Ministrja më pas foli edhe për objektivat e Ministrisë që ajo udhëheq, si dhe sfidat në përmbushjen e tyre. 

Pas raportimit të ministres, Komisioni miratoi edhe Planin e Punës për vitin 2021.